Gazeta Si – Këtë të shtunë, nga ora 19:00 deri në 21:00, pritet të mbahet protesta e thirrur nga Partia Demokratike, e cila kundërshton mbylljen e rrjetit social “TikTok”.
Tubimi i thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha do të mbahet para kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa policia ka marrë masa për rrugët që do të bllokohen, duke filluar nga ora 14:00.
Në një njoftim pr mediat, policia thotë se do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Sipas policisë, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.
Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, policia thekson se ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
“Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim”, – thuhet në njoftim.
Sa i takon protestës së opozitës, kreu i PD, Sali Berisha e cilësoi si “akt censure”, vendimin e qeverisë për mbylljen e TikTok, duke argumentuar se gjithçka bëhej në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, me qëllim që të rinjtë të mos informoheshin plotësisht për problematikat në vend.
Ai u bëri thirrje të rinjve, nxënësve dhe studentëve që të bashkohen në protestë për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe të drejtat e tyre në internet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.