Rend dhe Ligj

Opozita protestë para Kuvendit, dy zonat që bllokohet qarkullimi. Policia: Shmangni dhunën

Gazeta Si – Për shkak të protestës së paralajmëruar nga opozita (nis në 10:00) para Parlamentit, duke nisur nga ora 08:00 e mëngjesit, ditën e enjte 6 qershor, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të automjeteve në Bulevardin Zhan D’Ark dhe rrugën “Xhorxh Bush” në Tiranë.

Për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë, policia ka njoftuar planin e masave të ndërmarra, policia njofton se drejtuesit e automjeteve, ato të transportit publik, si dhe këmbësorët gjithashtu, të shmangin këto rrugë dhe të përdorin rrugë alternative.

Policia e Tiranës u ka bërë thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, të shmangin aktet e dhunës.

Opozita dhe Rithemelimi, kanë thirrur një protestë pas emisionit “Report” në Rai 3, i cili në pamjet e transmetuara, ku fliste edhe ish-zv/kryeministri i shpallur në kërkim Arben Ahmetaj, Shqipëria pasqyrohej si një narkoshtet.

“Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi që do të zhvillohet ditën e nesërme, përpara Parlamentit, në orën 10:00. Në zbatim të planit të masave, në orën 08:00 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin Zhan D’Ark dhe rrugën “Xhorxh Bush”. Drejtuesit e automjeteve, ato të transportit publik, si dhe këmbësorët gjithashtu, të shmangin këto rrugë dhe të përdorin rrugë alternative. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe perfaqësuesve të subjekteve politike, të ushtrojnë të drejtën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Policia e Shtetit ka të gjitha kapacitetet për të garantuar të drejtën e tubimit, sipas përcaktimeve ligjore dhe përsërit thirrjen për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune, pasi nuk do të tolerohen sjellje apo veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë publike”, – thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë