Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të rrëzojnë regjimin kriminal dhe korruptiv sipas tij të kryeministrit Rama.
Pas mbledhjes me aleatët, kryedemokrati Lulzim Basha njoftoi se opozita do të nisë protestat deri në rrëzimin e kryeministrit Rama nga pushteti.
Ai lajmëroi se të shtunën PD do të mbledhë Këshillin kombëtar për nisjen e protestave popullore.
“Sot e gjithë bota e pa se si Edi Rama i hoqi opozitës të drejtën elementare kushtetuese për të folur. Vendi po rrëshqet drejt diktaturës. Rama ka një parlament privat për të shkatërruar interesat kombëtare, ka një qeveri private për të vjedhur qytetarët, – u shpreh kryeopozitari. – Opozita është e vendosur t’i japë fund krizës politike e ekonomike në vend. Ne vendosëm të udhëheqim revoltën qytetare deri në protesta mbarëpopullore”.
Basha shpjegoi se të shtunën, “PD do të mbledhë Këshillin Kombëtar për të përcaktuar ditën e nisjes së protestës popullore. Përfaqësuesit parlamentarë do të mbledhin forumet e tyre dhe do të vendosin. Ne do të bëjmë gjithçka për të bërë të mundur largimin e Edi Ramës nga pushteti”, deklaroi kryedemokrati.
Ndërkohë, pas seancës së jashtëzakonshme, ku u votuan dekretet e Presidentit për ministrat e rinj, ai tha se kush i shërben qëndrimit të Ramës si kryeministër është tradhtar i vendit.
“Hajduti psikik që i dha sot dërrmën e fundit Kuvendit. Nuk mund të vazhdojë më kjo gjendje. Shqipëria nuk mund ta durojë më këtë gjendje. Ndaj detyra jonë është të jemi në krahë të këtyre njerëzve. Çdo ditë me Ramën kryeministër është ditë krize. Çdokush që i shërben me vetëdije apo vetëdije vazhdimit për çdo ditë të vetme të qëndrimit të Ramës kryeministër, është tradhtar. Ne, si opozitë duhet të mobilizohemi me të gjitha resurset. Thirrje çdo shqiptari të ndershëm për të rrëzuar me çdo kusht shkaktarin e kësaj emergjence”, deklaroi Basha.
Ndërsa kryetara e LSI-së, Monika Kryemadhi ka bërë një paralajmërim të fortë pas seancës. Ajo tha se opozita nuk do të jetë më zjarrfikëse për të shuar protestat, por se nga nesër do të vihet në ballë të tyre.
“Shumë shpejt do të mblidhemi dhe do kemi axhendën. Nuk është çështje bojkoti, se nuk ke çfarë të bojkotosh. Opozita është bashkë. Do njiheni shumë shpejt jo vetëm me axhendën, por dhe me grupet e strukturat. S’ka nevojë më për protesta masive. Ke me qindra studentë, familje, minatorë, naftëtarë. Opozita nuk do të jetë më zjarrfikëse dhe të fikë më zjarrin e protestës, por do të vihet në krye të protestave. Çdo njeri që i jep oksigjen këtij hajduti psikik është tradhtar”, tha Kryemadhi.
Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla nga jashtë ambienteve të Kuvendit komentoi vendimin e opozitës për të braktisur sallën. Ai theksoi se kërkesa e kolegëve të tij të PD dhe të LSI-së për debat duhej të ishte bërë me mocion. Mes të tjerash ai theksoi se debati duhet të bëhej sipas rregullores.
Po ashtu Balla u ndal edhe tek kandidatura e Gent Cakajt për postin e ministrit të Jashtëm. Sipas tij, Rama do të jetë në këtë post përkohësisht, “deri në zgjidhjen e ngërçit artificial, të krijuar nga presidenti Ilir Meta, duke ripropozuar kështu emrin e Cakajt sërish”, – theksoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




