Nga Gazeta 'Si'-Sërish tensione në selinë e Kuvendit, teksa pritej të fillonte mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Deputetët e opozitës të përjashtuar një ditë më parë për shkak të sjelljes së tyre në seancën e fundit parlamentare kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e sallës ku do të mbahej mbledhja.
Ndër ta dhe kryetari i grupit të PD, Gazment Bardhi, i cili është mes të përjashtuarve, për shkak të bllokimit të foltores, javën e kaluar.
Bardhi ka debatuar me tone të larta me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, të cilës i ka kërkuar arsyen se përse është përjashtuar. por para se t'i drejtohej asaj, deputetet e PD kanë hapur me forcë derën e zyrës së kryetares së Kuvendit
“Çfarë kam bërë? Pse më ke përjashtuar”, i është drejtuar ai.
Ndërsa Nikolla iu kthye duke i thënë se: “Ke shkelur rregulloren”.
“Ti ke 2 muaj që ke shkelur rregullore, duke mos zbatuar vendimet”, i replikoi Bardhi.
Më pas, deputeti i PD-së ka hyrë drejt sallës së mbledhjes .Bardhi shkoi në selinë e Kuvendit ku do të zhvillohet mbledhja e Konferencës se Kryetarëve për miratimin e Projektbuxhetit për vitin e ardhshëm.
Deputetët e Rithemelimit kanë bllokuar derën, ndërsa nuk lejuan as ministrin e Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete që të futet në mbledhje.
PS tentoi ta bëjë mbledhjen në salla të tjera por PD nuk e lejoi. Në fund ata tentuan të mblidhen tek zyra e Nikollës ku edhe aty nuk i lejuan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.