Franca është një gropë e madhe fiskale. Këtë vit, qeveria atje do të futet në një deficit me 5% të PBB-së. Investitorët e titujve janë nervozë, politikanët duhet ta mbyllin këtë gropë. Ekonomistët e majtë dhe një numër në rritje i atyre të qendrës, besojnë se taksimi i të pasurve do të ishte një lloj kapaku. Gabriel Zucman nga shkolla e Ekonomiksit në Paris, ka propozuar një taksë vjetore të paktën 2% mbi pasuritë që kalojnë 100 mln euro.
Edhe pse argumentet e ekonomistëve sot janë më delikate se ato që përdoren normalisht për të mbështetur taksat mbi pasurinë, ato janë po aq të gabuara.
Një duzinë vendesh të OECD-së kishin taksa mbi pasurinë në vitin 1990, por me kalimin e kohës kjo qasje ka rënë në hije. Austria hoqi taksën e saj mbi pasurinë në vitin 1994, Gjermania në vitin 1997 dhe Suedia në vitin 2007. Edhe Franca ndoqi shembullin në vitin 2018. Vetëm tre vende të pasura – Norvegjia, Spanja dhe Zvicra – ende kanë një taksë mbi pasurinë neto.
Politikanët hoqën dorë nga këto lloj taksash sepse nuk funksiononin. Një studim nga Instituti i Studimeve Fiskale në 2011-n, gjeti se taksat mbi të pasurit mund të rrisin pak të ardhurat dhe janë të pabarabarta e joeficiente. Ka probleme të shumta. Vlerësimi i pasurive dhe rrjedhimisht norma e taksimit, është tepër e vështirë. Përballë taksave të reja, të pasurit kanë një huq të keq; shpërngulen diku tjetër.
Si pasojë, taksat mbi pasurinë nuk prodhojnë shumë para. As argumentat e të djathtëve se kjo con në shkatërrim ekonomik nuk qëndrojnë. Por një shqyrtim në shkallë të gjerë nga OECD-ja zbuloi “argumente të kufizuara” për taksat mbi pasurinë neto përveç atyre mbi fitimet kapitale dhe trashëgiminë. Dhe politikanët kanë gjetur shumë mënyra të tjera për të siguruar që më të pasurit të paguajnë shumë taksa. Në Amerikë, normat efektive të taksave tani rriten nga 2% për kuintilin e poshtëm të të ardhurave në 45% për 0.01% më të pasurit, sipas një studimi të kohëve të fundit nga David Splinter i Komitetit të Përbashkët të Tatimeve të Amerikës. Sistemet tatimore në shumicën e vendeve të tjera të pasura janë gjithashtu shumë progresive.
Megjithatë, nuk është vetëm në Francë që taksat mbi pasurinë janë rikthyer në agjendë. Në Britani dhe Gjermani, rivendosja e tyre diskutohet herë pas here. Australianët po debatojnë nëse duhet të vendosin taksa më të larta për njerëzit me llogari të mëdha pensioni. Në Amerikë, Presidenti Joe Biden hodhi idenë e një takse mbi fitimet kapitale të parealizuara, e cila do të kishte qenë një lloj takse mbi pasurinë.
Ekonomistët janë të vetëdijshëm për problemet me të cilat përballen taksa të tilla. Një numër gjithnjë e në rritje e mbështesin rivendosjen e tyre pavarësisht kësaj. “Nuk më pëlqen taksimi i pasurisë, por… ka një rast të mirë për një përjashtim në Francën e sotme”, shkroi Erik Fossing Nielsen, ish-punonjës i Goldman Sachs, një bankë. Olivier Blanchard, ish-kryeekonomisti i FMN-së, ka mbështetur një taksë në stilin Zucman, megjithëse me një normë më të ulët. Qeveritë së shpejti do të duhet të marrin vendime të dhimbshme për të mbyllur deficitet buxhetore, dhe masat e nevojshme ndoshta do të përfshijnë shkurtime në shërbimet sociale dhe rritje në lloje të tjera taksash. Për të shmangur një valë të re mbështetjeje për populizmin, ose të paktën kështu thuhet, politikanët do të duhet të bindin publikun se të pasurit po ndajnë barrën. Një taksë në stilin Zucman, të cilën 86% e publikut francez thonë se e mbështesin, mund të jetë mënyra perfekte për ta bërë pikërisht këtë.
Është një argument joshës. Është gjithashtu i gabuar.
Disa ekonomistë kundërshtojnë avokimin e kolegëve të tyre për taksat mbi pasurinë për arsye procedurale. “Sipas mendimit tim”, shkroi John Cochrane i Universitetit të Stanfordit, “ekonomistët duhet të analizojnë politikën tatimore bazuar në stimuj, jo në ndjenja morale, ku kemi pak avantazh krahasues”. Me fjalë të tjera, lëreni politikën në dorë të politikanëve.
Ka kundërshtime më thelbësore. Argumentet mbi taksën mbi pasurinë dështojnë për shkak të qëndrueshmërisë, dobisë dhe naivitetit. Filloni me qëndrueshmërinë. Taksat në stilin Zucman mund të jenë të njohura për momentin, megjithatë mbështetja e vazhdueshme nuk është aspak e garantuar, pasi publiku ka pikëpamje të veçanta kur bëhet fjalë për taksimin. Amerikanët, për shembull, thonë se duan taksa progresive, por, kur pyeten për taksa të veçanta, gjithashtu i urrejnë më shumë taksat progresive. Një punim nga Ursula Dallinger e Universitetit të Trier sugjeron që mbështetja për taksat mbi pasurinë mund të bjerë, varësisht nga faktorët, përfshirë gjendjen e ekonomisë. Kështu, Franca mund të mbetet me një taksë që është si ekonomikisht dëmtuese ashtu edhe politikisht kundërproduktive.
Së dyti, dobia. Edhe nëse një taksë mbi pasurinë do të mbetej popullore pas futjes së saj, a do të arrinte qëllimet e kërkuara nga mbështetës të tillë si z. Blanchard? Publiku francez do të kënaqej duke i shpuar plutokratët në sy. Por gëzimi pothuajse me siguri do të ishte i përkohshëm. Taksa nuk do të mblidhte para të mjaftueshme për të kompensuar shkurtimet e kërkuara diku tjetër; çdo gëzim i çastit me siguri do t’i linte vendin zemërimit të flaktë sapo qeveria të njoftonte, të themi, ulje të përfitimeve të paaftësisë ose një rritje modeste të moshës së daljes në pension.
Pranga të arta
Së treti, naiviteti. Mbështetësit e rinj të zotit Zucman nënvlerësojnë rreziqet e nxjerrjes së taksës mbi pasurinë nga qesja. Shumë avokatë të taksës mbi pasurinë pothuajse me siguri e shohin një taksë prej 2% si vetëm fillimin. Ndërsa ndihmonte fushatën presidenciale të Bernie Sanders në 2019-20, zoti Zucman dukej se favorizonte një taksë prej 8% mbi pasuritë më të mëdha të Amerikës. Dhe vini re Thomas Piketty, mentorin e zotit Zucman, i cili në dekadën e fundit ka kaluar nga mbështetja e taksave të buta mbi pasurinë në ato që do të konfiskonin 90% të pasurive më të mëdha. Kohët e fundit, zoti Piketty hodhi në pah mundësinë që njerëzit e pasur që u përpoqën të largoheshin nga Franca për të shmangur taksën duhet të arrestohen në aeroport.
Franca ka mundësi të tjera nëse dëshiron të rregullojë situatën fiskale dhe ta bëjë këtë pa shkurtime të egra. Normat më të larta të TVSH-së, si dhe taksat mbi tokën dhe pasuritë e tjera të paluajtshme, do të sillnin shumë para. Një taksë karboni do të bënte gjithashtu një ndryshim. Dhe në një moment vendi do të duhet të rrisë moshën e tij absurdisht të ulët të daljes në pension. Asnjë nga këto nuk do të ishte e lehtë. Por zbatimi i një politike të keqe me qëllim arritjen e një rezultati të mirë rrallë është një qasje e zgjuar.
Burimi:TheEconomist/Gazetasi.al
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



