Menaxhim

Operatorët celularë: Shteti të subvencionojë rrjetet 5G

Operatorët celularë në vend kërkojnë që zhvillimi i rrjeteve 5G në vend të subvencionohet nga shteti shqiptar.

Në procesin e konsultimit publik për dokumentin e analizës për teknologjitë e reja të mobile broadband në Shqipëri, të zhvilluar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), operatorët kanë hedhur idenë që pjesërisht këto rrjete të financohen me fonde publike.

Ata kanë shfaqur shqetësime serioze për kalimin në gjeneratën e radhës 5G, për shkak të investimeve të mëdha të nevojshme në këtë proces.

Shqetësimi më i madh sipas tyre është se abonimi i përdoruesit fundor mund të mos krijojë të ardhura të nevojshme për ta bërë rrjetin 5G ekonomikisht të qëndrueshëm.

Sipas tyre, është thelbësore që në vendosjen e çmimit minimal për frekuencat, të mendohet në funksion të arritjes së qëllimeve të lidhjes digjitale: kjo do të thotë që interesi për përfitimet afatgjata sociale dhe ekonomike nga zhvillimi i brezit të gjerë 5G duhet të tejkalojë interesin afatshkurtër të Qeverisë në maksimizimin e të ardhurave shtetërore.

 Operatorët shprehen të shqetësuar se çmimi i lartë i ankandit mund të zvogëlojë aftësinë e tyre për të pasur kapitalin e nevojshëm për zhvillimin e infrastrukturës teknike të kërkuar 5G. Gjithashtu, ata kanë kërkuar që autorizimet për frekuencat e teknologjisë 5G të paguhen me këste për të paktën pesë vjet.

Ata rekomandojnë që Qeveria të marrë në konsideratë zbatimin e mekanizmave fiskalë për stimulimin e investimeve në zonat e thella dhe rurale, duke argumentuar se zonat rurale shqiptare kanë një kosto shumë të lartë zhvillimi dhe, në mungesë të subvencionimit nga Qeveria shqiptare shtrirja e rrjeteve 5G në zonat rurale do të kërkojë një kohë të gjatë për t’u zhvilluar.

Disa operatorë shprehën qëndrimin se një ulje e tarifave të taksës së komunikimit radio prej të paktën 40% nga niveli aktual do të rriste probabilitetin e suksesit ekonomik të implementimit të teknologjisë 5G.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë