Art dhe Kulture

Operator të dhënash, projekte jashtë vendit, krijimtari… Si po mbijetojnë artistët shqiptarë

Pandemia ka gjunjëzuar shumë njerëz, dhe ndër më të dëmtuarit janë njerëzit e artit.

Meqënëse institucionet kulturore i kanë kyçur dyert fizikë për publikun e gjerë, aktivitetet kulturore janë pezulluar, performancat Live janë zëvendësuar me ekzekutim dhe rikthim të shfaqjeve në sferën online prej një viti tashmë, shumë artistë të pavarur janë goditur më rëndë.

Por sa e vështirë është jeta e artistëve në një kohë që pandemia vijon të jetë e fortë? Cilat janë mënyrat alternative që kanë gjetur në mungesë të aktivitetit kulturor?

A bëjnë ata punë provizore jashtë profesionit, kanë biznese të tyre apo jetojnë me kursimet?

Për të shtjelluar këtë temë, Gazeta “Si” ka folur me artistë, të cilët sjellin një tablo më të qartë se çfarë po ndodh me ta sot.

Aktori i pavarur, Ismail Shino, tregon për Gazetën “Si” se mbyllja e teatrove ka cenuar drejtpërdrejt jetën profesionale dhe financiare të tij.

“ Pa asnjë informacion, asnjë përpjekje për të ndërtuar ura lidhëse, komunikimi apo hartim strategjie, personalisht e kam ndier veten të lënë tutje”, shprehet aktori për Gazetën “Si”.

Shino thotë se kjo periudhë e ka detyruar të bëjë punë që s’ka lidhje me profesionin, por vetëm për një pagë mujore.

Aktori Ismail Shino

“Në pamundësi për të ushtruar profesionin tim, ku vlen për t’u theksuar se është e vetmja mënyrë e gjenerimit të të ardhurave të mia, ka qenë jashtëzakonisht e vështirë. Pas shumë peripecirash jetësore e shëndetësore, mënyra e vetme për të mbijetuar ka qenë punë aspak e përshtatshme për shkollimin dhe formimin tim, vetëm e vetëm për hir të të siguruarit të një shume të caktuar në fund të muajit. Puna konsistonte në hedhjen e të dhënave në Excel për një kompani investimesh online”, shprehet ai, ndërsa shton se “kjo është vetëm maja e ajsbergut, sepse në momentin që një artist investon 5 vite shkollim, ku paralelisht jep kontributin e tij në jetën artistike, në situata të tilla, ne ndihemi absolutisht të papërfillshëm dhe inekzistentë”.

Aktori apelon se artistët e rinj kanë nevojë për strategji mbështetëse, në mënyrë që të bëhen pjesë e tregut artistik.

Kritike është edhe aktorja e njohur, Ema Andrea.

“Unë si aktore nuk e kam pas ndonjëherë skenën, më është dashur ta fitoj. Ndaj, skena më mungon shpesh, pavarësisht pandemisë. ‘Bukën e gojës’ nuk e kam të lidhur me daljen në skenë, pasi nuk jam pjesë e asnjë stafi teatror kombëtar apo jo”, thotë aktorja Ema Andrea.

Aktorja Ema Andrea

Andrea thotë se në këtë kohë të vështirë shfrytëzon punën e saj si pedagoge, por gjithmonë ka gjetur mundësinë të bëjë art edhe pa asnjë mbështetje financiare.

“Unë gjithmonë kam krijuar mundësi vetes e të tjerëve për të bërë art, diku me projekte e diku pa asnjë mbështetje financiare. Nuk kam qenë ndonjëherë e varur financiarisht dhe as artistikisht nga ‘pronarët’ e skenave. Nuk kam biznes natyrisht, e për kursime nuk bëhet fjalë. Financiarisht kam pagën nga puna ime si  pedagoge”, shprehet ajo, ndërsa thekson se “kreativiteti nuk ka ndalur duke gjetur forma të tjera  komunikimi artistik”.

Koreografes dhe kërcimtares, Rosella Pelliciotti, këto muaj të vështira pezullimi i është dashur t’i kalojë me kursime të saj ose me ndonjë projekt artistik jashtë shtetit.

“Unë personalisht disa muaj të pandemisë i kalova me kursimet e mia, e më pas pata fatin që kisha një projekt artistik jashtë shtetit, në Slloveni, që u realizua edhe pse në kushtet e pandemisë. E kjo ekonomikisht ishte ndihmesë e madhe. Gjithashtu kam marrë pjesë në projekte shumë të vogla filmike e për momentin jemi duke punuar për disa performanca ne open-air, pavarësisht se nuk është asgjë e sigurt”, shprehet koreografja për Gazetën “Si”.

Koreografja Rosella Pelliciotti

Pelliciotti thotë se kjo periudhë për artistët ka qenë shumë e vështirë, jo vetëm në planin ekonomik po edhe atë psikologjik. Sipas saj, mbajtja ende mbyllur e teatrove ndërkohë që bizneset janë hapur dhe grumbullime njerëzish sheh kudo, është gati një sulm ndaj artistëve që jetojnë me performancat Live.

“Sidoqoftë më duhet ta them, duke jetuar në Tiranë e duke parë se si jeta e përditshme vazhdon pothuajse normalisht, me të gjitha bizneset hapur, me njerëz që grumbullohen normalisht në ambiente jashtë apo brenda, me kinematë hapur – lënia mbyllur e teatrove më duket absurde dhe gati-gati një sulm ndaj artistëve që jetojnë me performancat Live. U bë një vit që nuk kujtohet askush për rihapjen (nuk po them pa protokolle) të atyre pak sallave teatrore që kanë ngelur”, përfundon ajo.

Edhe për violinisten Ingrid Zhegu mungesa e performancës simfonike e operistike ka bërë që të drejtohet në “punë” të tjera.

“Para pandemisë jam thirrur si e jashtme në disa projekte në TOB. Personalisht bëj një ‘punë’ në një qendër kursesh, ku kam disa orë mësimi. Jeta e një artisti në Shqipëri është shumë e vështirë edhe në kushte normale, në kushte pandemie vështirësohet akoma dhe më shumë”, shprehet ajo, ndërsa shton se “mungesa e performancës së një artisti nuk përjetohet vetëm nga ana ekonomike, por edhe shpirtërore. Këtë e them me bindje duke e përjetuar vetë mungesën e performancës simfonike, operistike, si e papunë!”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë