Rend dhe Ligj

Operacioni ‘Ura’ / Pjesë e grupit kriminal të narkotrafikut, kapet në Belgjikë Gertin Aliu

Gazeta Si – Gertin Aliu, 44 vjeç, njëri prej anëtarëve të grupit kriminal që u godit nga autoritetet italiane dhe shqiptare në operacionin “Ura” të 21 majit, është arrestuar në Belgjikë nga autoritetet vendase.

Ndaj Aliut, gjykata e Barit në Itali kishte caktuar masën “arrest me burg” nën akuzën e trafikut të drogës dhe të pjesëmarrjes në organizatë kriminale. Arrestimi i tij u krye falë një bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare, belge dhe italiane.

Në përgjimet e zbardhura në dosjen hetimore italiane të operacionin “Ura” me 52 urdhër-arreste, Gertin Aliu kishte një rol kyç në kalimin e kokainës nga porti i Durrësit prej ku ndihmohej nga vetë punonjësit të cilët e mbanin lëndën narkotike me vete dhe më pas ua kalonin shoferëve të kamionëve.

Aliu bashkëpunonte gjithashtu me persona të identifikuar si Adi Çoba (ndërmjetësi i trafikut të drogës me Turqinë e Amerikën Latine), si dhe me Orges Mollën e Ervis Detin.

Ky grup funksiononte si “nëngrup” i Troplinëve me në krye Ervis Doçin (Visin e Pojës), i cili falë fuqisë së tij mundësonte transportin e lëndëve narkotike në shtete të ndryshme të Evropës.

Operacioni “Ura” u krye më 21 maj, nga kur u lëshuan dhe 52 urdhërarreste, 29 prej tyre ishin nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, 1 nga Prokuroria e Posaçme dhe 22 nga drejtësia italiane.

Nga këta, 40 janë shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër italianë, teksa sqarohet se ishin të përfshirë në 3 grupe kriminale, një me bazë në Shijak e dy të tjera në Puglia, Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë