Gazeta Si - Një sasi e konsiderueshme eurosh, dyshohet se janë larguar nga një punonjës policie gjatë kontrollit të banesës së Aqif Bezatit në Belsh të Elbasanit, duke nënkuptuar një dekonspirim të operacionit.
Burime paraprake, shprehen se policia, në kërkim të gjurmëve të të shumëkërkuarit Talo Çela, kishte shkuar në fshatin Dëshiran për kontroll.
Përveç armëve, municionit dhe një sasie parash të gjetura, burime policore në rrugë jo zyrtare bëjnë me dije se në banesë ka pasur edhe rreth 100 mijë euro, të cilat janë larguar prej andej.
Eurot dyshohet se u morën dhe u larguan nga një punonjës policie, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije.
Polici për të cilin Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet, ishte në dijeni të operacionit dhe dyshohet se veproi para se të finalizohej.
Nuk dihet nëse polici ka marrë paratë për vetë apo i ka fshehur për llogari të pronarit Aqif Bezati, i cili u la në burg.
Në shtëpinë e tij në fshatin Dëshiran të Belshit, policia gjeti në 14 tetor një arsenal armësh, nga pistoletat deri tek granatat e municionet.
Gjykata la në “arrest shtëpie” këtë të hënë edhe Veli Deliun, shok me Aqif Bezatin, i akuzuar për mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë dhe ato sportive.
Bezati dyshohet si një nga personat që i siguronte bazë strehimi Talo Çelës, i cili prej vitesh ndodhet në kërkim si autor i dyshuar në disa ngjarje kriminale në Elbasan, Durrës dhe Tiranë.
Po ashtu, 60-vjecarit iu kapën 3.6 kg kanabis sativa dhe 1.4 kg bimë narkotike të llojit opium.
Në banesë u gjetën 3.7 milionë lekë, 5000 paund dhe 8.950 euro, të cilat dyshohet se i ka përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve dhe të trafikimit të armëve.
Talo Çela, prej disa kohësh është në krye të listës së të kërkuarve të drejtësisë, pas dëshmive të të penduarit Nuredin Dumani.
Ai akuzohet për disa ngjarje të rënda kriminale, mes të cilave grabitja e parave në aeroportin e Rinasit dhe vrasje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.