Sport

Operacioni i Maradonës, familjarët tregojnë intrigat

E gjithë bota e sportit e jo vetëm është gjithnjë e më në ankth për gjendjen e Diego Armando Maradonës: ish Pibe de oro, sipas asaj që mësohet nga Argjentina, u shtrua mëngjesin e djeshëm me urgjencë në një spital të La Plata dhe fillimisht dyshohej për një anemi, ankth dhe depresion. Më vonë doli nevoja për një ndërhyrje kirurgjikale, që u krye në një klinikë në Buenos Aires, ku u transportua me ambulancë. Një ndërhyrje me urgjencë për të hequr një hematomë subdurale, më saktë një grumbullim gjaku mes kafkës e trurit, që është evidentuar gjatë kontrolleve të bëra në spital. “Operacioni në tru për të hequr një mpiksje të gjakut ka shkuar mirë. Ndërhyrja kirurgjikale që u bë te Maradona ka qenë i suksesshëm”, ka thënë Sebastian Sanchi, zëdhënësi i shtypit të legjendës argjentinase të futbollit Diego Armando Maradona.

“Gjithçka shkoi sipas parashikimit, Diego është mirë dhe po pushon në dhomën e tij të spitalit. Arritëm ta heqim mpiksjen e gjakut dhe Diego e përballoi mirë operacionin. Është nën kontrollin tonë dhe do të jetë 24 orë nën vëzhdim”, tha mjeku personal i Maradona, Leopoldo Luque.

Hematoma subdurale është një mpiksje gjaku që del nga venat dhe mban nën presion trurin. Mund të dëmtojë indin cerebral pranë zonës. Panorama klinike e Maradonës është përkeqësuar në javët e fundit e shpërtheu në 60 vjetorin e lindjes, kur u detyrua të largohej përpara kohë nga pankina ku drejtonte Gimnasias për debutimin në Kupë. Prania e kësaj hematome shpjegon lodhjen psikofizike dhe me mungesën e kthjelltësisë paraqitur nga Maradona në kohët e fundit.

Por ka disa prapaskena, të zbuluara nga vajzat Dalma dhe Giannina, nga ish-prokurori dhe miku Guillermo Coppola dhe nga ish-shoku i kombëtares Héctor Enrique. Me aq sa mësohet, Maradona po manipulohet nga partnerja aktuale Veronica Ojeda dhe nga një grup personazhesh të interesuar vetëm për trashëgiminë e tij, të cilët kanë bërë gjithçka për ta ndarë atë nga familja dhe për ta bërë të vetmuar dhe të manovrueshëm. Periodikisht këta persona ndryshojnë numrin e telefonit të Diegos, për t’u siguruar që familja e tij nuk mund të kontaktojë me të dhe ta bëjnë atë të besojë se fëmijët e tij nuk duan të kenë të bëjnë me të. Sipas Coppola, këta njerëz po shfrytëzojnë Maradonën dhe po e dëmtojnë atë duke e furnizuar me alkool dhe ilaçe për ta mbajtur të qetë dhe për të shfrytëzuar pasuritë dhe portofolin e tij. Ka qenë Ojeda që e ka detyruar Maradona-n të ishte prezent në stadiumin Gimnasia të premten e kaluar, megjithëse nuk ishte aspak në gjendje të mirë, për arsye komerciale dhe sponsorizimesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë