Rend dhe Ligj

Operacion në 8 ‘Call Center’-a/ SPAK arreston 15 persona, mashtruan mijëra qytetarë gjermanë

Gazeta Si – Një kompani “Call Center”-ash, që operonte me seli te Rruga e Kavajës në Tiranë, është përfshirë në mashtrimin e rreth 2 mijë shtetasve gjermanë, duke iu marrë shumë të mëdha në euro.

SPAK ka kontrolluar 8 ambiente të  Call Center-it “BLUENERGYCALL SHPK”,  ndërsa zbulon se mashtrimi i shtetasve gjermanë ka nisur që në vitin 2018 e në vijim, ndërsa vetë kompania ishte regjistruar në 2017. 

Mes 15 personave të arrestuar deri tani, kanë përfunduar E.K., pronari i “Call Center”-it dhe programuesi i IT së kompanisë, me iniciale Xh.Xh..

Drejtori i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Tonin Vocaj ka dhënë detaje për operacionin “Skema” që goditi këtë veprimtari mashtruese.

Sipas Vocajt, krahas 15 personave të arrestuar, 35 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, ndërsa 21 vetë janë shpallur në kërkim.

“Gjatë operacionit u kontrolluan 8 ambiente në të cilat ushtrohej aktiviteti kriminal në fushën e krimeve kibernetike, në ekzekutim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë. U ndaluan 15 shtetas të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, u proceduan në gjendje të lirë 35 shtetas dhe u shpallën në kërkim 21 shtetas të tjerë”, tha ai.

Vocaj bëri të ditur gjithashtu se skema mashtruese me dëm të konsiderueshëm monetar e “Call Canter”-it “BLUENERGYCALL”, ka nisur që në vitin 2018 e në vazhdim.

Deri më tani janë identifikuar të dhënat personale të shumë shtetasve të huaj të cilat janë përdorur për t‘i kontaktuar dhe më pas t‘i tërhiqnin drejt skemës së mashtrimit kompjuterik, duke përfituar shuma të ndryshme vlerash monetare. Personat e kontaktuar ndodhen në shtete të ndryshme të botës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 200 pajisje kompjuterike, 120 pajisje të telefonisë Voip, 1 laptop, 70 telefona të lëvizshëm, USB, karta të ndryshme, dokumentacione etj.

Një pjesë e të arrestuarve, 13 prej tyre, sipas SPAK, kishin funksionin e “Retention”, (menaxherë të sallave) të subjektit, të cilët dyshohen veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë