Drejtësia

Goditet grupi kriminal kundër trafikimit të emigrantëve shqiptarë në Angli përmes Spanjës. Mes 26 të arrestuarve dhe një polic. Çfarë sekuestroi SPAK (nga eurot te Bitcoin)

Gazeta Si – Një një operacion të koordinuar mes SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit, janë arrestuar 26 persona të akuzuar për trafikim të emigrantëve shqiptarë drejt Anglisë dhe Irlandës përmes Spanjës.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një deklaratë për mediat, tha se janë lëshuar 31 urdhër arreste, ku deri tani janë ekzekutuar 26 prej tyre, mes të cilëve në pranga ka rënë dhe një punonjës policie, ndërsa 5 janë shpallur në kërkim.

“Nga 31 shtetas, është bërë mundur ekzekutimi për 26 shtetas, për 4 shtetas të tjerë u bë shpallja në kërkim. Në mesin e tyre, u arrestua edhe një punonjës policie, i nivelit zbatues. Për 4 të tjerë u ekzekutua masa arrest shtëpie. Janë arrestuar edhe 5 shtetas të tjerë. Në Spanjë u arrestuan 35 shtetas. Në Shqipëri u angazhuan 500 forca policie. U sekuestruan 7 automjete, 1 laborator për falsifikimin e dokumenteve, 10 pasaporta italiane, greke, armë gjahu, 15 kompjuterë, sasi lëndësh narkotike, 47 aparat celularë dhe bizhuteri. 120 kontrata blerje pronash dhe automjetesh. Subjektet kryesore kryenin aktivitete të falsifikimit, kryesisht të dokumenteve të BE”, tha Rrumbullaku.

Në konferencë, Rrumbullaku ka treguar dhe skemën: “Shqiptarët shkonin në Spanjë rregullisht dhe dokumentet false u dërgoheshin me postë”.

Grupi kriminal akuzohet për trafik emigrantësh, duke u mundësuar atyre kalimin me pasaporta false në rrugë tokësore apo ajrore.

Operacioni për arrestimin e të dyshuarve për trafik emigrantësh ka sjellë në vendin tonë edhe hetues nga Spanja, Italia, Kosova, SHBA.

SPAK njoftoi se hetimet për goditjen e trafikut të emigrantëve, janë realizuar në bashkëpunim me Autoritetet Spanjolle, Kosovare dhe nën mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Mësohet se gjatë kontrolleve janë sekuestruar sendet që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale apo sende që  përbëjnë produkt të veprës penale, shumat e parave 25 mijë euro, 20 mijë paund, sende me vlerë, një ambient i përshtatur për falsifikim të dokumenteve, kompjuterë e printera që shërbenin për shitje dhe transferta monedha virtuale – BITCOIN, sasi lëndësh narkotike e dokumente të tjera me rëndësi për hetimin.

Gjithashtu SPAK njoftoi se në interes të hetimeve të këtij procedimi penal, është ngritur një Skuadër e Përbashkët Hetimore me autoritetet gjyqësore të Tarragonës, Spanjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë