Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko foli për zbatimin e “Open Banking” në Shqipëri duke theksuar se ajo është vendi i parë në rajon që po shkon në drejtim të këtij zhvillimi.
“Në vitin 2012, rreth 96% e transfertave incioheshin në letër në sportelet e bankave, ndërkohë që sot rreth 50% e transfertave procesohen në distancë. Nëse në llogaritje përfshijmë dhe pagesat me kartë, rezulton se 79% e pagesave dhe transfertave kryhen në distancë dhe vetëm 21% në degët e bankave.
Në këtë këndvështrim, vlerësoj se bankat mbeten të angazhuara për të akomoduar edhe nevojat e platformës e-Albania, si në kushtet ekzistuese, ashtu edhe pas krijimit të “open banking”.
Harmonizimi dhe koordinimi i kësaj platforme dhe atyre të sistemit bankar, si dhe dhënia e prioritetit zhvillimeve të nevojshme që kërkohen në lidhje me to, do të sjellë jo vetëm një lehtësim dhe ndërveprim më efikas, por dhe shtim të sinergjisë midis të gjitha palëve të përfshira në këto procese,” tha Sejko, gjatë fjalës së tij në forumin “Digjitalizimi kundrejt parasë fizike”.
Ai vendosi në dukje se digjitalizimi i mëtejshëm dhe ofrimi i shërbimeve si hapja e llogarisë apo nënshkrimi në distancë kërkojnë mbështetjen e institucioneve publike, me ndryshimin e bazës ligjore dhe nënligjore, si edhe me ngritjen e një depozitari të të dhënave biometrike.
“Me rëndësi mbetet edhe kapërcimi i çdo problematike të identifikuar gjatë gjithë këtyre viteve nga zbatimi i inovacioneve të përmendura më parë. Një theks i veçantë duhet vendosur mbi problematikat e hasura nga hapja e llogarive dhe nënshkrimi i kontratave në distancë, të cilat janë parakusht i nevojshëm për digjitalizimin e shërbimeve.
Pavarësisht parashikimeve ligjore e rregullative në lidhje me këto çështje, zbatimi në praktikë ka dëshmuar se mbart problematika të karakterit teknik. Për këtë qëllim, do të inkurajonim bashkëpunimin e gjithë institucioneve dhe aktorëve të tregut për të tejkaluar problematikat që mund të lindin në lidhje me: parandalimin e pastrimit të parave; nënshkrimin elektronik; lidhjen e kontratave në distancë; promovimin e përdorimit të dokumenteve elektronike dhe informacioneve të nevojshme gjatë aplikimeve të qytetarëve pranë bankave.
Të gjitha këto do të lehtësonin më tej digjitalizimin, jo vetëm të pagesave, por dhe të shërbimeve të tjera, si huadhënia dhe investimet, duke kontribuuar ndjeshëm në objektivin e përbashkët të formalizimit dhe rritjes së qëndrueshme të ekonomisë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



