Libra

‘Onufri’ padit Komunën e Tetovës për vjedhjen e veprave të Kadaresë /Hudhri: Skandaloze sesi shteti promovon vjedhjen

Nga Gazeta “SI”- Presidenti i Shtëpisë botuese “Onufri”, Bujar Hudhri ka paditur këtë të Hënë në gjykatë kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasamin. Padia e depozituar në gjykatën themelore të Tetoves, lidhet me vjedhjen dhe promovimin e librave të shkrimtarit Ismail Kadare.

E gjithë vjedhja është zbuluar nga rrjeti social i kryetarit të komunës së Tetovës, Kasami i cili në një postim njoftonte për pesë mijë libra që Komuna i dhuronte për shkollat e mesme të Tetovës. Ka mjaftuar ky postim për të vënë re se romanet e dhuruara të Kadaresë, përmbanin kopertinë ndryshe nga ato të botuara nga Shtëpia botuese “Onufri”, e cila ka dhe të drejtën e autorit për të gjithë veprën e Kadaresë.

Në një prononcim për mediat, Botuesi Bujar Hudhri ka shpjeguar se kjo shkelje ligjore nuk përbën vetëm shqetësim  personal por edhe publik pasi bëhet fjalë për veprat e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare.

Postimi i Kryetarit tw Komunës tetovë, Bilall Kasami

“Kam ardhur në Tetovë të bëj një padi për komunën e Tetovës dhe kryetarin e saj Bilall Kasamin. Për një shqetësim i cili nuk është vetëm i imi por mendoj se është shqetësim publik. Duke u nisur nga një postim që ai ka bërë në rrjetin e tij social, ku ai deklaron se u ka dhuruar pesë shkollave në Tetovë afërsisht pesë mijë libra. Dhe këtë e ka shoqëruar me video dhe foto të librave. Nga një këqyrje fare e lehtë e materialit të ekspozuar, unë kam konstatuar se të gjithë librat që komuna i ka blerë dhe dhuruar shkollave të mesme të Tetovës janë të vjedhur”

Hudhri ka theksuar se është skandaloze sesi shteti promovon vjedhjen.

“Kjo është arsyeja e padisë sime ndaj komunës së Tetovës. Sepse është skandaloze që shteti të marrë një mall të vjedhur dhe ta dhurojë. E dyta , sepse u dhurohen bibliotekave publike të shkollave, që do të thotë se libra të tillë të vjedhur, të shtypur në mënyrë skandaloze, pa kurrfarë cilësie, madje edhe të përgjysmuara. Këto libra mbeten përfundmisht dhe brez mbas brezi në këto biblioteka. Ky është dyfish dëmi i madh që shkaktohet”

Hudhri ka vënë në dukje faktin se Kadare është shpallur “Qytetar Nderi” i Tetovës nga i njëjti kryetar, ndërkohë që sot blihen librat e vjedhur të tij. Sipas tij, një absurditet

“Para dy vitesh unë kam sjellë këtu Ismail Kadarenë.  Unë jam botuesi i tij. Tetova e bëri qytetar nderi të saj. Unë nuk mund të arrij ta kuptoj kryetarin e Komunës i cili, këtej e shpall qytetar nderi ndërsa nga ana tjetër i vjedh librat. Kjo është skandaloze. Në një botë të qytetëruar kjo është e papranueshme. Si mund të vjedhë dikush dhe shteti e mbështet, e stimulon dhe e promovon. Ky është shqetësimi im”

Bilall Kasami gjatë ceremonisë së shpalljes së Kadaresë, “Qyetar nderi” i Tetovës

Ai thotë se nuk ka dijeni se kush qëndron pas shtypjes dhe piratimit të librave të Kadaresë, duke i shkaktuar kështu një dëm moral edhe figurës së shkrimtarit.

“Unë nuk e di se kush i shtyp këto libra dhe nuk kam asnjë të dhënë që të mund të bëj padi. Padia është kundër komunës së Tetovës e cila i promovon dhe i blen. Librat e Kadaresë duken që në kopertinë që janë të vjedhur. Të shtypur me letër skandaloze çka përbën përveç dëmit ekonomik, edhe dëm moral ndaj nesh si shtëpi botuese por dhe ndaj shkrimtarit Ismail Kadare. Të gjithë e dinë se të drejtat e botimit të Kadaresë i ka “Onufri” dhe asnjë shtëpi botuese tjetër”

I pyetur se çfarë do të kërkojë si dëmshpërblim, botuesi Hudhri ka theksuar se do të kërkojë dënim dhe gjobë maksimale për vjedhësit dhe fajtorët, në mënyrë që të bëhën shembull duke e cilësuar këtë proces si të papranueshëm dhe skandaloz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë