Shoqata Omonia ka replikuar ndaj kryeministrit Edi Rama, që e cilësoi protestën si diçka të paprecedentë e të organizuar nga ekstremistët grekë.
“Në postimin e tij të gjatë, Rama ndër të tjera përmend se protesta është organizuar nga politikanët grekë dhe se është e paprecedentë në historinë e Europës. I nderuar zoti Rama, e dimë që është e vështirë, por kapërdijeni, protesta u organizua nga ata që i vunë frena planeve tuaja në 14 maj, nga njerëzit e thjeshtë të Himarës që ju i përbuzni dhe i nënçmoni duke i quajtur një grusht ekstremistësh. Gjithsesi, duhet të biem dakord që është vërtet një situatë e paprecedentë, ashtu si e gjithë çështja për arrestimin dhe paraburgimin e zgjatur të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, z. Fredi Beleri”, thuhet në deklaratën për median.
Ndërsa i drejtohen që të mos bëhet pengesë, por të lejojë që Beleri të zhvillojë betimin si kryetar bashkie të Himarës, të cilit juridikisht i ka mbaruar afati ligjore.
“Sa i përket ndarjes së pushteteve dhe drejtësisë së pavarur në Shqipëri, ne e dimë mirë se pengimi i betimit të kryebashkiakut tonë është vetëm vendimi juaj politik dhe nuk ka të bëjë me drejtësinë. Ndaj zgjidhni nyjën gordiane dhe pranoni kërkesën për disa orë leje për betim. Sa për Himarën dhe himarjotët, mos u shqetësoni, ne do të vazhdojmë të japim leksione etike dhe demokracie dhe do të vazhdojmë të jemi shembull i bashkëjetesës harmonike të grekëve dhe shqiptarëve”, thuhet në deklaratën e kësaj shoqate.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




