Varianti “Omicron” ka një kapacitet riinfektimi 5.4 herë më të madh se ai i variantit “Delta”, sipas një studimi nga disa shkencëtarë nga "Imperial College London", i cili ende nuk është rishikuar nga kolegët. Kjo do të thotë se mbrojtja kundër riinfeksionit nga varianti i ri i ofruar nga një infeksion i kaluar mund të arrijë vetëm deri në 19%.
Mbrojtja e vaksinave kundër këtij varianti të ri, është gjithashtu dukshëm më e ulët dhe luhatet me një dozë të dyfishtë nga 0 në 20% ndaj sëmundjes simptomatike (u vlerësuan vaksinat “Pfizer” dhe “Astrazeneca”).
Gjërat përmirësohen pas përforcuesit, sepse mbrojtja rritet nga 55% në 80% (por për momentin nuk dihet sa zgjat). Në fund, studimi nuk gjeti prova që varianti i ri shkakton një formë më pak të rëndë të sëmundjes sesa “Delta”, megjithëse të dhënat e shtrimit në spital mbeten të ulëta për momentin.
Studiuesit gjetën gjithashtu një rrezik dukshëm më të lartë të zhvillimit të një rasti simptomatik të “Omicron” sesa “Delta” për ata që kishin marrë dozën e dytë për më shumë se dy javë dhe për ata që kishin marrë përforcuesin për më shumë se dy javë, një shenjë që mbrojtja zvogëlohet me shpejtësi me kalimin e kohës.
Në mënyrë të detajuar, mbrojtja e mbetur kundër infeksionit simptomatik me dy doza të ‘AstraZeneca’, konsiderohet "shumë e kufizuar", ndërsa për vaksinën e ‘Pfizer’ është "e ulët". Megjithatë, në rastin e fundit, mbrojtja do të arrinte 50-80 për qind falë përforcuesit.
Kjo aftësi për të shmangur mbrojtjen imune nga varianti “Omicron”, është e lidhur me numrin e konsiderueshëm të mutacioneve (mbi 30) të zbuluara në proteinën ‘Spike’.
Vaksinat kundër Covid, bazohen në nxitjen e imunitetit pikërisht ndaj proteinës S, dhe duke qenë se ai i variantit “Omicron” është shumë i ndryshëm nga ai i llojit origjinal që u shfaq në Wuhan, pasojat kanë një aftësi e rëndësishme për të "shpuar" mbrojtjen e shkaktuar nga vaksinimi.
Rezultatet e studimit u bazuan në të dhënat nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shërbimi Shëndetësor Kombëtar për njerëzit që rezultuan pozitivë për tampon molekular midis 29 nëntorit dhe 11 dhjetorit. U analizuan 333,000 raste, duke përfshirë 122,062 të “Delta”-s dhe 1,846 të “Omicron” të konfirmuara përmes sekuencës së gjenomit.
Ky studim, “siguron prova të tjera të masës shumë thelbësore, me të cilën ‘Omicron’ mund të shmangë imunitetin që mund të ketë pasur dikush që e ka kaluar sëmundjen dhe të ketë marrë vaksinën kundër Covidit.
Ky nivel i evazionit imunitar, do të thotë se “Omicron” përbën një kërcënim serioz dhe të menjëhershëm për shëndetin publik", - thotë Neil Ferguson nga “Imperial College”.
Hulumtimi "nuk gjeti prova se Omicron" shkakton infeksione me "ashpërsi më të vogël se ‘Delta’", duke marrë parasysh përqindjen e njerëzve që testuan simptoma pozitive të raportimit ose përqindjen e rasteve që kërkojnë kujdes spitalor pas infeksionit.
“Megjithatë, - saktësojnë autorët, - të dhënat për shtrimet në spital mbeten shumë të kufizuara në këtë moment”.
Dr Clive Dix, ish-kryetar i task-forcës së vaksinave në Mbretërinë e Bashkuar, i intervistuar nga agjencia e lajmeve “Reuters”, tha se ishte e rëndësishme që të mos mbi-interpretoheshin të dhënat.
“Përfundimet e nxjerra bazohen në hipoteza, por ende nuk kemi të dhëna të mjaftueshme, - tha ai. - Për shembull, ne nuk kemi të dhëna për përgjigjen imune qelizore (limfocitet B dhe T), që ndoshta po nxisin efektivitetin e vaksinave".
Për profesorin Azra Ghani, "përcaktimi sasior i rrezikut të riinfeksionit dhe efikasitetit të vaksinës kundër ‘Omicron’, është thelbësor për modelimin e trajektores së mundshme të ardhshme të valës së variantit të ri dhe ndikimin e mundshëm të vaksinimit dhe ndërhyrjeve të tjera të shëndetit publik".
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.