Vaksinimi i detyrueshëm për disa kategori ka bërë që të rritet fluksi i njerëzve në qendrat shëndetësore dhe qendrën e vaksinimi “Air Albania”. Nga një vëzhgim i Gazetasi.al këtë të enjte kishte një numër të shtuar në radhë, gjë që e konfirmojnë dhe vaksinatorët. “Ka tre ditë që fluksi është shtuar”, tregojnë ata.
Qytetarët përgjithësisht ishin punonjës në shërbim dhe persona që punojnë në administratën publike.
Shumë prej tyre kanë marrë dozën e parë dhe janë shtyrë pikërisht nga detyrimi për të marrë vaksinën.
“Vendosa ta bëja tani vaksinën sepse më duhet për tek puna”, thotë një qytetare për Gazetasi.al në Qendrën Shëndetësore nr.2 në kryeqytet.
Në radhë ka edhe nga ata që do të marrin dozën e dytë.
“Dozën e parë e kam marrë në fillim të dhjetorit dhe të dytën po e marr tani. Nuk më detyrojnë në punë për vaksinimin se nuk jam pjesë e këtyre, por që më parë nuk kam ardhur sepse sapo i mbusha 6 muaj që nga koha kur kalova virusin”, tregon një tjetër qytetar.
Ndërkaq mes tyre qëndronin edhe të rinj të cilët donin të merrnin dozën e tretë dhe ndër arsyet kryesore për ta ishte shfaqja e variantit Omicron dhe rritja e infektimeve. Disa prej tyre u shprehën që kanë lexuar se vetëm më anë të vaksinave mund ta shmangin varantin e ri.
Qytetarët që qëndronin në radhë në qendrat shëndetësore 2, 8 dhe në stadiunim “Air Albania” ishin në pritje të vaksinës Pfizer, por të shumtë ishin edhe ata që donin të merrnin Coronavac si dozë të parë për shkak se është prodhuar në mënyrë tradicionale. Ndërkohë, doza e tretë preferohej më shumë Pfizer.
Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik janë totalisht të vaksinuar rreth 2.4 milionë qytetarë, ku më shumë se 1 milionë i kanë marrë të dyja dozat, ndërsa rreth 151.000 janë ata që kanë kryer dozën e tretë.
Ndërkaq, Silva Bino, Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP ka thënë për Gazetasi.al se gjatë kësaj kohe ka vijuar paralelisht edhe vaksinimi i gripit.
Bino ka shpjeguar se përdorimi i sasisë së vaksinave të gripit në rang vend është 84%. Janë kryer në total në të gjithë vendin rreth 234 mijë vaksina të gripit dhe qytete tek që i kanë përdorur më shumë janë, Fieri, Lushnja, Berati, Kuçova, Skrapari, Mirdita, Puka, Dibra e të tjera.
Pavarësisht shifrave shpresëdhënëse të vaksinimeve në vend po qarkullojnë një sërë virozësh dhe mjekët kanë ngritur shqetësimin se është prezent kombinimi i Covid-19 dhe gripit që në gjuhën mjekësore quhet “flourona” dhe pacientët duhet të bëjnë testin PCR për të ditur se çfarë kanë.
Gjithashtu të mërkurën u regjistruan shifra disa herë më të larta se në periudhën para një jave. Kishte rreth 1236 qytetarë të infektuar, numër ky që na sjell në kujtesë mesin e Janarit të vitit të shkuar, menjëherë pas festave.
Nisur nga këto shifra ekspertët e shëndetit publik kanë këshilluar që duhet të ketë një ekzekutim të një zbatim rigoroz të masave për të frenuar sa më shumë përhapjen. Në një prononcim për Gazetasi.al mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka shpjeguar se me variantin e ri Omicron, vaksinimi duhet të marrë një drejtim të ri duke shkuar derë më derë për vaksinimet, kryesisht tek të moshuarit, pacientët kronikë dhe personat që nuk kanë marrë asnjë dozë vaksine.
Sipas mjekut, duhet të liberalizohen testet e shpejta që qytetarët mund t’i gjejë në farmaci dhe markete. Më tej mjeku ka shpjeguar më herët se të rëndësishme janë edhe ilaçet antivirale të cilat nuk janë marrë ende nga autoritetet shëndetësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)











Lini një Përgjigje