Gazeta Si – Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, është rikthyer pas rreth 3 javësh në Prokurorinë e Posaçme, ku dëshmoi për çështjen e abuzimit të pronave të ushtrisë në kohën kur ajo ishte ministre e Mbrojtjes.
Pasi ka qëndruar për rreth 1 orë e gjysmë në ambientet e SPAK, Xhaçka iu është shmangur pyetjeve të mediave, duke mos bërë asnjë koment.
Në fakt, për të janë të hapura dy çështje hetimi, njëra për denoncimin e deputetëve të PD-së për përdorimin e helikopterëve, si dhe për kallëzimet e ish-ushtarakut të lartë, Artur Meçollari për privatizimet në bazën e Liomionit në Sarandë dhe bazën detare të Shëngjinit.
Kallëzimi i dorëzuar nga ish-gjenerali Artur Mecollari, kërkon hetime edhe ndaj funksionares së lartë, por edhe ushtarakë të shtabit të përgjithshëm, që akuzohen se shpërdoruan detyrën gjatë procedurave për privatizimin e pronës së ushtrisë.
Në kallëzim thuhet se është shkelur ligji për dhënien me qira të Portit Ushtarak të Sarandës pa miratim nga presidenti. Bëhet fjalë për periudhën kur ajo ishte Ministre e Mbrojtjes.
Por Xhaçka, e cila është thirrur si deklaruese para SPAK, sqaroi javë më parë për mediat se i ka qëndruar besnike ligjit.
Ish-ushtaraku Mecollari i ka thënë SPAK-ut se porti i Limionit iu dha me qira subjekteve private, duke shkelur hapur ligjin.
Lidhur me këtë çështje, më 9 mars prokurorët e SPAK nisën dhe ballafaqimet me palët e përfshira, ku u thirr për të dëshmuar ish-shefi i Shtabit Bardhyl Kollçaku, i cili njëherësh është dhe deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.
Disa ditë më parë, Prokuroria e Posaçme vendosi në sekuestro preventive bazën ushtarake detare në Sarandë, e cila dyshohet se ka kaluar në duart të privatëve në mënyrë të paligjshme dhe korruptive.
Kjo është hera e dytë që ministrja Xhaçka shkon në ambientet e SPAK për këtë çështje, në harkun kohor të 1 muaji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.