Politike

Olta Xhaçka përçan grupin e PD, Bardhi kërkon firmën e Agalliut dhe Pampurit, Basha: Kushtetuesja foli njëherë

Mandati i Olta Xhaçkës do të ridërgohet në Gjykatën Kushtetuese nga PD e Rithemelimit. Por me një dallim të madh. Ndryshe nga padia e parë, në listën e firmëtarëve të deputetëve nuk do të jetë emri i Oriola Pampurit dhe Arbi Agalliut për të cilët Bardhi një ditë më parë në mbledhjen e  grupit ka kërkuar largimin nga detyrat që ata kanë në sekretariatin e grupit.

“Grupi ka vendosur që do të ridepozitojë kërkesën për mandatin e Olta Xhaçkës, si shprehje e vullnetit të plotë që në 2024 të shkelen hapur vendimet e Kushtetueses”, tha Bardhi.

“Ka pasur një komunikim të z.Bardhi që duhet të jenë të njëjtët deputetë që kishin firmosur të njëjtën shkresë si herën e kaluar që e kishin çuar në Kushtetuese, pra është gjetur një formë e grupit ligjor të PD-së për ta riçuar, por disa prej tyre nuk kanë pranuar ta firmosin”, tha Ervin Salianji në emisionin ’Debat’ në A2CNN. Salianji nuk dha emra konkret por la të kuptojë se ishin Pampuri dhe Agalliu dhe dy deputete te tjere nga grupi "Basha".

Në anën tjetër, Lulzim Basha, në një deklarim për mediat pak para fillimit të seancës i pyetur per te njejten ceshtje tha se Kushtetuesja ka folur një herë për Xhaçkën dhe se ajo që po ndodh mes PD-së së Rithemelimit dhe PS-së është vetëm debat për çështje pazaresh.  

“...Sigurisht që Edi Ramës i leverdis ta bëj pis Partinë Demokratike dhe të përdor këta pazarxhinj për t’u bërë një nder atyre dhe merr një nder tjetër në kthim që është qëndrimi gjoja i parakorduar gjoja të Olta Xhaçkësh. Është totalisht i rakorduar. Domëthënë ajo që ndodhi me Olta Xhaçkën është totalisht i rakorduar. Dhe tani thonë do ta çojmë prap në Kushtetuese. Si do ta çosh prap në Kushtetuese? Po Kushtetuesja u shpreh. Në moment kur shprehet Kushtetuesja, Parlamenti duhet të votojë. Nuk votoi Parlamenti, ngrihu blloko foltoren. Për këto bllokohet foltorja. Ta bllokojnë këta pra, revolucionarët, pazarxhinjtë... Bubat e Lindita Nikollës ju mashtrojnë ju dhe mashtrojnë opinionin publik. Jo çdo bub kur leh e ka me të keq, do dhe të hajë. Lehjet e këtyre bubave kanë qenë për të ngrënë, jo për të kërcënuar dhe kjo kuptohet tani, të çohen të bllokojnë foltoren tani. Sepse me vendimin për Olta Xhaçkën, ne jemi në krizë Kushtetuese. Kushtetuta thotë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i padiskutueshëm. Çohet partia socialiste e hedh poshtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, këta bëjnë sikur s’ka ndodhur asgjë. Pse? Sepse e kanë ngrënë lugën e çorbës së prishur apo jo, me siguri të prishur... ", tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë