Kryeprokurori Olsian Çela është takuar këtë të mërkurë me përfaqësues ndërkombëtarë në Shqipëri, duke marrë mbështetjen e këtyre të fundit në detyrën e vështirë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Çela u takua fillimisht me ambasadorin gjerman në Tiranë, Peter Zingraf.
“Gjermania, së bashku me Bashkimin Evropian, ka mbështetur gjithmonë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe do ta vijojë të bëjë këtë edhe në të ardhmen. Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm përmes parlamentit pas verifikimit dhe vlerësimit të kandidatëve nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë është një hap thelbësor në zbatimin e reformës në drejtësi dhe do të konsolidojë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. I uroj Prokurorit të ri të Përgjithshëm shumë forcë dhe suksese në detyrën e tij të rëndësishme”, deklaroi Zingraf në takimin me të.
Më pas, Kryeprokurori ka zhvilluar njëkohësisht një takim me kreun e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca dhe me të ngarkuarën me punë të Ambasadës Amerikane në vendin tonë, Leyla Moses-Ones.
Sipas njoftimit të Ambasadës Amerikane, e Ngarkuara me Punë përsëriti sërish mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi dhe rolin e rëndësishëm që institucionet e prokurorisë luajnë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit.
Zyra për shtyp e Prokurorisë së Përgjithshme shpërndau më vonë një deklaratë, sipas të cilës Soreca dhe Leyla Moses-Ones t vlerësuan procesin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm dhe formimin e institucioneve të reja si hap mjaft i rëndësishëm në formimin e institucioneve të reja në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.