Në orët e fundit është përfolur shumë lamtumira e Adolfo Sormanit nga Partizani, i cili vetëm pak orë para derbit, nuk ishte në stol. Një ndarje e papritur, e cila u bë zyrtare në orët e fundit, pasi tekniku italian ka pasur këndvështrime të ndryshme me shoqërinë në lidhje me administrimin e disa rasteve pozitive me Covid-19 brenda grupit të skuadrës. Drejtori sportiv i Partizanit, Olsi Rama në një prononcim për “Top Channel”, foli për herë të parë në lidhje me largimin e papritur të Sormanit dhe u shpreh se tani që projekti italian dështoi, vëmendja më e madhe është te trajnerët vendas.
“Sigurisht që kemi nisur të mendojmë se kush janë opsionet, do shohim brenda realitetit shqiptar. Skënder Gega ka lënë përshtypje të mira padiskutim, sepse është trajneri me të cilin Partizani doli kampion. Nuk përjashtoj asnjë pistë, sepse të gjitha zgjedhjet që bëhen te Partizani janë zgjedhje dhe te presidentit dhe të drejtorit. Për momentin eksperimenti italian është i dështuar, kështu që nuk besoj se do të ketë afrime prej andej’’.
Më pas Olsi Rama i është kundërpërgjigjur Sormanit, i cili në një intervistë për Tuttomercatoweb akuzoi drejtuesit e klubit kryeqytetas për pa përgjegjshmëri. ’’ Me pak ngacmim do të thoja, në qoftë se do të kishte pasur kaq frikë nga Pandemia duhet të kishte ndenjur në Shqipëri, të kishte bërë 14 ditët e karantinës dhe më pas të shkonte pranë familjarëve në Itali, ai dhe stafi i vetë”
Në fund drejtori i Partizanit foli edhe për atë se çfarë ndodhi realisht ditën e derbit ku Sormani vendosi të braktiste skuadrën.
“Ditën e mërkurë stërvitja u krye normalisht dhe në darkë u krye dhe marrja e tamponeve. Ditën e enjte stërvitja u shty tre herë, u zhvillua në orën 21:30 dhe i pyetëm futbollistët si ndiheshin, u matëm dhe temperaturën. Ata ishin në gjendje optimale dhe vendosëm të bënim stërvitjen, seancë ku stafi nuk mori pjesë pa komunikuar me drejtuesit duhet ta them këtë gjë. Ditën e premte u munduam të vendosnim kontakte, por përsëri nuk pati kontakt me drejtuesit”, shprehet Olsi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




