Gazeta Si - Forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Liban thanë më 5 tetor se nuk do të lënë pozicionet e tyre në jug, pavarësisht se thanë se Izraeli ka kërkuar që ata të “zhvendosen”.
“Më 30 shtator, ushtria izraelite ka njoftuar forcat paqeruajtëse për qëllimin e saj për të ndërmarrë një inkursion të kufizuar tokësor në Liban, Ata na kanë kërkuar që ne të zhvendosemi nga disa pozicione”, tha Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban.
“Paqëruejtësit vazhdojnë të jenë në të gjitha pozicionet dhe flamuri i OKB-së vazhdon të valojë. Ne rregullisht ndryshojmë pozicionin tonë dhe veprimet tona dhe kemi plane të gatshme, të cilat mund të zbatohen nëse është e nevojshme”, u tha në njoftim.
Izraeli ka intensifikuar fushatën e tij kundër Hezbollahut – grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – që nga 23 shtatori, duke vrarë më shumë se 1.110 persona dhe duke detyruar qindra mijëra që të largohen nga shtëpitë e tyre.
Më herët gjatë kësaj jave, Izraeli njoftoi se ka nisur një ofensivë të kufizuar tokësore në jug të Libanit, kundër Hezbollahut.
Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
“Ne vazhdojmë t’iu bëjmë thirrje Libanit dhe Izraelit që të riangazhohen për rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit – me vepra, e jo vetëm me fjalë – si zgjidhja e vetme për të risjellë stabilitetin në rajon”, tha forca e OKB-së.
Rezoluta 1701 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që i dha fund luftës së vitit 2006 midis Izraelit dhe Hezbollahut, thotë se vetëm ushtria e Libanit dhe paqeruajtësit e OKB-së duhet të dislokohen në jug të Libanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.