“Përparimi drejt barazisë gjinore po zhduket para syve tanë”, i tha Komisionit për Statusin e Grave Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Duke folur me grupin kyç të OKB-së për të drejtat e grave, Guterres tha se barazia gjinore është “300 vite larg” sipas vlerësimeve të fundit nga UN Women, organizata e OKB-së për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.
Guterres përmendi shkallët e larta të vdekshmërisë, vajzat që detyrohen të martohen në moshë të hershme dhe vajzat që u ndalohet arsimimi si dëshmi se shpresa për arritjen e barazisë gjinore “po bëhet gjithnjë e më e largët”.
“Të drejtat e grave po abuzohen, kërcënohen dhe shkelen në mbarë botën” tha Guterres, duke përmendur disa vende në veçanti, duke përfshirë Afganistanin, ku tha se “gratë dhe vajzat janë larguar nga jeta publike”.
Raporti i paraqitur në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në Gjenevë vuri në dukje gjithashtu rritjen e martesave të detyruara, përjashtimit të grave nga hapësira publike si parqet dhe palestrat, dhe kufizime të tjera që i ndalojnë gratë të punojnë dhe udhëtojnë në Afganistan.
“Kriza dhe konflikti prek gratë dhe vajzat së pari dhe më keq”, tha Guterres, duke përmendur luftën në Ukrainë si shembull.
Guterres tha gjithashtu se “në shumë vende, të drejtat e grave po zhbëhen”, megjithëse ai nuk specifikoi se ku.
Për të arritur barazinë gjinore, Guterres bëri thirrje për veprime “kolektive” dhe “urgjente”, nga rritja e arsimit, të ardhurave dhe punësimit për gratë dhe vajzat, veçanërisht në vendet në zhvillim, deri te promovimi i pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në shkencë dhe teknologji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.