OFL vijon me kërkesat për vërtetimin e pasurive dhe i ka dërguar kërkesë me shkrim Emiljano Shullazit, i cili ndodhet në paraburgim. Po ashtu kërkesa këtë të martë i shkoi edhe Gjergj Cukalit.
Emiljano Shullazi, me banim në Tiranë, aktualisht ndodhet i paraburgosur, pasi ndaj tij po zhvillohet gjykimi për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”;
Banda e Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës ndaj Mynyr Konit e Dhori Kules dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kundër Ylvi Beqjes për ish-hotel “Vollgën” në Durrës.
Ndërsa Gjergj Cukalin, në vitin 2006, Gjykata e Rrethit Tiranë e ka dënuar me 10 vite burg, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”;
Cukali njihet ndryshe edhe si i ‘forti’ i Myslim Shyrit, pas disa ngjarjeve të përsëritura në këtë zonë të kryeqytetit.
Zëdhënësja e OFL tha se këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.
“Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme”, shtoi ajo.
Zëdhënësja bëri me dije se “OFL, që prej nisjes së operacionit e deri sot, u ka dërguar kërkesë për vetëdeklarim të pasurisë 13 personave, si dhe ka sekuestruar 1 vilë, 1 karburant, 6 banesa, 3 automjete dhe 1900 m2 truall, arë”.
Avokati i Shullazit: Një show, pasuritë kanë kaluar në sitën e “Anti-mafias”
I menjëhershëm ka qenë reagimi i avokatit të Emiljano Shullazit, Vladimir Meçe, pas kërkesës që Operacioni “Forca e Ligjit” i bëri klientit të tij për të bërë deklarimin e pasurisë brenda 48 orëve.
Avokati e cilëson një “show” aksionin e OFL, duke u shprehur se klienti i tij e ka kaluar pasurinë në sitën e ligjit “Anti-Mafia” dhe nuk ka rezultuar me pasuri të paligjshme.
“U njoha me lajmin që OFL i ka dërguar klientit tim kërkesë për të paraqitur deklaratë mbi pasuritë…. Sipas meje është një “show”, sikundër ka rezultuar edhe në ndonjë rast të mëparshëm…Në dijeninë time, pasuria e klientit tim e ka kaluar sitën e ligjit Antimafia dhe ai nuk ka rezultuar me pasuri të paligjshme, produkt i ndonjë vepre penale apo të pajustifikuar nga burime të ligjshme. Pavarësisht zhurmës mediatike që po e shoqëron procesin kundër tij pothuaj prej 4 vjetësh, proces ky i montuar, ku janë shkelur të gjitha parimet mbi të cilat ngrihet një proces i rregullt penal, klienti im nuk zotëron pasuri të paligjshme”, deklaron avokati Meçe.
Avokati madje thotë se “nuk zotëron pasuri veç banesës së tij dhe një sipërfaqe në një objekt, që është legjenduar si e marrë me dhunë, por që gjithsesi është objekt i shqyrtimit gjyqësor, i cili ende nuk ka përfunduar”.
Sipas avokatit, kjo është një zhurmë e panevojshme për opinionin publik.
“OFL- ja përpara se të kërkonte prej tij deklarimin e pasurisë, do ishte mirë të kishte kryer qoftë dhe një verifikim dhe të mos ushqente me zhurmë të panevojshme opinionin publik. Sipas meje, ky është një ndikim i hapur dhe i paligjshëm në procesin që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar!”, thotë avokati.
Ndër të tjera, avokati shprehet se “klienti im nuk ka asgjë për të fshehur dhe do t’i përgjigjet OFL në kohë dhe në mënyrë të plotë!”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




