Gazeta Si – Dy oficerë të Guardia di Finanza-s dhe një bashkëpunëtor i tyre nga Italia, janë përplasur me autoritetet shqiptare të Portit të Durrësit, pasi dyshohet se kishin me vete një pajisje përgjimi të paautorizuar për ta përdorur.
Deri tani policia nuk ka dalë me një njoftim zyrtar për ngjarjen, por burime paraprake, bëjnë me dije se pajisja është sekuestruar dhe po kryhet një akt ekspertimi i plotë.
Ndërkohë, tre italianët, të cilët kishin zgjedhur të ktheheshin me traget në vendin e tyre, pasi u morën në pyetje, janë lejuar të largohen.
Gjtihnjë sipas burimeve, ata kanë hyrë në Shqipëri paraditen e 5 dhjetorit dhe kishin planifikuar të largoheshin brenda ditës, por veprimet e tyre kanë shkaktuar dyshime te autoritetet shqiptare.
Kjo, sepse ata kishin me vete pajisje të dyshuara për përgjim, por nuk ishin autorizuar për të përdorur dhe as kishin informuar autoritetet shqiptare për këtë.
Në rrugë, jo zyrtare, mësohet se pala italiane i ka informuar autoritetet shqiptare me vonesë mbi veprimet që oficerët do të kryenin në tragetin që kishte flamur italian, të ankoruar në portin e Durrësit.
Kur tre personat tentuan të kalonin në pikën e kalimit kufitar, policia shqiptare zbuloi pajisjet që ata mbanin me vete, të cilat dyshohet të jenë përgjuese.
Vetëm kur u ndaluan, autoritetet italiane informuan palën shqiptare se dy oficerët dhe një specialist IT ndodheshin atje për të kryer veprime në tragetin e pasagjerëve me flamur italian.
Pajisjet janë bllokuar nga strukturat shqiptare, ndërsa çështja ende nuk ka shkuar në Prokurorinë e Durrësit.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet ligjzbatuese shqiptare mbi pajisjet përgjuese dhe as për arsyen pse italianët e ndaluar, u lejuan të largoheshin pa u sqaruar çështja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



