Futboll

Oferta deri në 5 milionë euro, Legia reziston. Ernest Muçi mund ta shtyjë lëvizjen në verë

Gazeta Si – I ri në moshë, paraqitje mbresëlënëse, golashënues, goditje të kalibruara nga distanca, fantazi dhe përshtatje gati në të gjitha pozicionet në sulm. Ernest Muçi i ka numrat në rregull për të bërë lëvizjen e karrierës.

Ernest Muçi gjate nje ndeshjeje me Legian. Gazeta Si, 27 janar 2024

Sulmuesi i Kombëtares është nga më të kërkuarit në treg dhe largimi nga Polonia është vetëm çështje kohe, ditësh ose maksimumi muajsh. Burime të Gazeta Si pranë vetë lojtarit bëjnë me dije se Legia e Varshavës, klubi aktual i Muçit, ka marrë oferta zyrtare, por kërkon diçka më shumë për të lëshuar ‘xhevahirin’ e saj shqiptar.

Konkretisht, ofertat e mbërritura në klubin polak shkojnë deri në 5 milionë euro. Një shifër e konsiderueshme kjo, por drejtuesit pretendojnë më shumë, duan 7 milionë euro. Në këto kushte, gjithçka mbetet për t’u parë, nëse dikush do të plotësojë kërkesat financiare të Legias, apo kjo e fundit do të ulë pretendimet.

Me shumë gjasa, transferimi i Ernest Muçit në një nga 5 kampionatet më të fortë në Europë do të shtyhet për në verë. Atëherë do të ketë më shumë kohë për të marrë vendimin e duhur, që do të lërë të kënaqur të gjitha palët: Legian, lojtarin dhe menaxherët e tij.

Nga lëvizja e radhës e Muçit pritet të përfitojë financiarisht edhe Tirana, klubi që ka të drejtën e formimit të sulmuesit. Përveç arkëtimit në kohën e shitjes te Legia, Tirana përfiton një përqindje edhe në transferimin e radhës së lojtarit.

Në Kombëtare Muçi ka besimin e trajnerit Silvinjo, edhe pse ky i fundit e ka aktivizuar si zëvendësues. Muaçi shënoi një gol në eliminatoret e Gjermani 2024 dhe me siguri do të jetë pjesë e listës zyrtare të brazilianit. Është një nga lojtarët më premtues, që me kalimin në një kampionat më të forta do ta rritë më tej nivelin e tij, duke qenë kështu më i rëndësishëm edhe për fanellën kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë