Turizëm

OBT: Si mund të rimëkëmbet turizmi kulturor

Me ndaljen e turizmit global, miliona njerëz në karantinë kanë kërkuar përvoja kulturore dhe udhëtimi nga shtëpitë e tyre. Kultura është dëshmuar e domosdoshme gjatë kësaj periudhe, dhe kërkesa për qasje virtuale në muze, vende të trashëgimisë kulturore, teatrot dhe shfaqjet ka arritur në nivele të papara më parë.

Një projekt i tillë ka ngjallur kërshërinë edhe të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë vizituar shumë site arkeologjike virtualisht që nga kompjuteri apo tableti dhe telefoni.

Me mbylljen e më shumë se 80% të objekteve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, jetesa e miliona profesionistëve kulturorë është rrezikuar seriozisht. Nëse turizmi është menduar të kontribuojë në mbijetesën e sektorit të kulturës, pra kinematë, artet dhe shumë segmente të tjera, Organizata Botërore e Turizmit mendon se ai duhet të forcojë identitetin kulturor dhe markimin e destinacioneve të turizmit.

“Përkundër të gjitha sfidave, sektorët e turizmit dhe kulturës po përballen me një mundësi për të krijuar partneritete dhe bashkëpunim të ri. Ata janë të detyruar të krijojnë së bashku dhe të diversifikojnë ofertën, të tërheqin audiencë të re, të zhvillojnë aftësi të reja dhe të mbështesin tranzicionin e botës në kushtet e reja.”- thotë Organizata.

Ajo ka përgatitur disa rekomandime që janë produkt i Departamentit të Etikës, Kulturës dhe Përgjegjësisë Sociale të Organizatës në bashkëpunim me partnerët e saj ndërkombëtarë me kompetencë në kulturë dhe turizëm.

Përgjigjja imediate…

Përmirësimi i shkëmbimit të informacionit dhe të dhënave midis sektorëve

Rrjedha e informacionit ndërmjet sektorëve është thelbësore për të kuptuar ndikimet e pandemisë dhe për hartimin e përgjigjeve efektive. Të dhënat specifike mbi ndikimet socio-ekonomike të COVID-19 në kulturë dhe turizëm, si dhe për zgjidhjet që janë vendosur për mbijetesën e turizmit kulturor, do të lejojnë që planet më të përqendruara të zbutjes t’u përgjigjen nevojave të ndryshme dhe të përsërisin praktika të mira.

Aleancat inovative

Izolimi ka provuar rëndësinë e teknologjisë dhe mediave të reja në jetën tonë të përditshme. Me miliona njerëz të mbyllur në shtëpitë e tyre, ky është një moment i mundshëm për të zhvilluar dhe promovuar përvojat kulturore për një audiencë të gjerë. Sfida është ofrimi i këtyre përvojave në një mënyrë që mbështet përfitime të drejtpërdrejta për organizatat dhe praktikuesit e përfshirë. Gjatë këtij tranzicioni dixhital, turizmi dhe kultura mund të krijojnë aleanca me kompanitë e teknologjisë dhe sektorin privat për të përmirësuar qasjen në programet e ngritjes së kapaciteteve mbi kulturën dhe turizmin e qëndrueshëm, të disponueshëm në internet.

Frymëzimi për një të ardhme më të qëndrueshme për turizmin kulturor

Sektorët e turizmit dhe kulturës duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku për të frymëzuar një të ardhme më të qëndrueshme për turizmin kulturor. Strategjitë e marketingut në turizëm po nxjerrin në pah shprehjet kulturore lokale jo vetëm për të adresuar audiencën e re, por edhe për të frymëzuar udhëtimin e përgjegjshëm. Destinacionet dhe vendet kulturore janë duke u përpjekur të mbijetojnë këtë periudhë letargjie, ndërsa planifikojnë rihapjen e turizmit.

 Formimi i burimeve njerëzore në sektorin e tuirizmit kulturor

Profilet profesionale të punonjësve të kulturës dhe turizmit do të kërkojnë aftësi të reja për veprime të menjëhershme dhe për të marrë pjesë në rimëkëmbjen. Të dy sektorët duhet të zhvillojnë zgjidhje krijuese për punësimin për të siguruar qëndrueshmëri ndaj fuqisë punëtore. Punët ekzistuese në turizmin kulturor duhet të mbahen dhe rigjenerohen pasi talenti dhe njohuritë njerëzore janë tashmë aty.

Forcimi i strukturave qeverisëse për koordinim më të mirë dhe shkëmbim informacioni

Kjo krizë është një mundësi e jashtëzakonshme për të ndërtuar modele të qeverisjes ndër-sektoriale midis turizmit dhe aktorëve kryesorë të kulturës. Këto modele duhet të përfshijnë partnerë të teknologjisë për të krijuar platforma dhe forume shkëmbimi për të koordinuar veprimet dhe shkëmbyer informacione. Platformat duhet të nënkuptojnë një komunikim efektiv, vendimmarrje dhe marrëveshje për përcaktimin e kufijve të zhvillimit të turizmit që përfshijnë pasuritë kulturore.

Rimëkëmbja

Të tërhiqet audienca e re

Sektori i kulturës po formon qytetarë globalë të angazhuar dhe turistë të së ardhmes, duke iu drejtuar fëmijëve dhe të rinjve. Lidhjet emocionale që shfaqen tani midis qytetarëve dhe krijuesve të kulturës do të bëjnë ndryshime në vitet në vazhdim. Bllokimi gjithashtu mund të bëjë që vizitorët përësëritës dhe turistët kulturorë “të moshuar” të mbështesin kulturën me veprime patronazhi dhe solidariteti.

Zhvendosja nga sasia në cilësi

Suksesi në turizëm u mat tradicionalisht me statistikat që vinin në pah numrat e vizitorëve, ndërsa treguesit cilësor dhe profili i vizitorëve kishin më pak rëndësi. Rimëkëmbja e përbashkët e turizmit dhe kulturës duhet të përafrojë politikat e qëndrueshmërisë, përparësitë e reja me vlerat e reja të matjes, si dhe strategjitë e marketingut të përshtatura.

Diversifikimi i produkteve të turizmit kulturor

Destinacionet duhet të adresojnë tregjet e reja dhe tradicionale dhe profilet specifike të vizitorëve kulturorë, interesat dhe përparësitë e të cilëve mund të riformulohen pas krizës COVID-19. Kultura do të kërkojë mbështetje për të mbijetuar dhe lulëzuar, pasi pasuron identitetin e destinacioneve dhe frymëzon ringjalljen e turizmit. Disa grumbullime kulturore mund të zëvendësohen përkohësisht me produkte alternative, pasi të shpalosen skenarë të rinj.

Rritja e pjesëmarrjes së komunitetit dhe turizmit vendas

Angazhimi i platformave të qytetarëve për rikrijimin e ofertës kulturore lokale do të ketë një rëndësi strategjike sociale dhe ekonomike. Roli i komuniteteve lokale do të jetë thelbësor në përqafimin e fluksit të parë të vizitorëve, me masa paraprake. Rifitimi i besimit të klientëve vendas do të përshpejtojë fazën e parë të rimëkëmbjes së turizmit kulturor.

Rregullimi i ofertës kulturore për vizitorët ndërkombëtarë

Kthimi i turizmit të brendshëm kulturor, do të jetë më sfidues para se konsumatorët të vendosin të udhëtojnë jashtë vendit. Duke rregulluar ofertën e tyre kulturore, qeveritë, destinacionet dhe industritë kulturore mund të kenë një qasje më ndërkombëtare. Aleancat ndërkombëtare dhe ndërsektoriale do të kenë një rol kryesor.

Inovacioni i turizmit kulturor

Inovacioni në NVM dhe ekonomia krijuese do të jetë e nevojshme për rimëkëmbjen, veçanërisht për fuqizimin e grave, të rinjve dhe popujve indigjenë. COVID-19 do të ndikojë shumë në këto grupe pasi ekonomia e tyre është shpesh joformale, veçanërisht në destinacionet në zhvillim. Jetesa e tyre do të përmirësohet duke konsoliduar aksesin dhe përfshirjen e tyre në treg në zinxhirin e furnizimit të turizmit kulturor. Kalimi nga joformal drejt ekonomisë formale do të ketë përfitues shumë komunitete dhe destinacione.

Turizmi kulturor të bëhet i arritshëm për të gjithë

Mundësia e përdorimit të objekteve kulturore, produkteve dhe shërbimeve duhet të avancohet për të siguruar më mirë nevojat e personave me aftësi të kufizuara, të moshuarit dhe familjet me fëmijë të vegjël, vendasit dhe vizitorët njësoj. Duhet të përfitojnë të gjithë.  ©Gazeta “Si”

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.

Më Shumë