Ngjarje

OBSH paralajmëron rritje të sëmundjeve në Afganistan përfshirë edhe Covid-19

Organizata Botërore e Shëndetit ka paralajmëruar se duhen siguruar shërbimet shëndetësore në të gjithë Afganistanin pasi mund të ketë një rritje të rasteve të simptomave të Covid-19 dhe problemeve të tjera shëndetësore në të gjithë vendin.
Në kaosin e rënies së Kabulit të Dielën, OBSH tha se shumë afganë kishin ikur në qytet në ditët para fillimit të kontrollit të talebanëve, e zyrtarët shëndetësorë kanë frikë për një rritje të sëmundjeve dhe rrezikun e shpërthimeve që mund të prekin njerëzit e cenueshëm.
Në një deklaratë, Ahmed Al-Mandhari, drejtori rajonal i OBSH-së për Mesdheun Lindor, tha se ekipet ishin dërguar për të ofruar shërbime mjekësore, por ishin pezulluar gjatë 36 orëve të fundit për shkak të mungesës së sigurisë në Afganistan.
OBSH gjithashtu ka përshkruar përshkallëzimin e dhunës ndaj punonjësve shëndetësorë, me 26 objekte shëndetësore që u sulmuan midis janarit dhe korrikut të këtij viti, duke prekur 36 punonjës përfshirë 12 punëtorë që u vranë.
Al-Mandhari tha se në zonat ku njerëzit kanë ikur për të kërkuar siguri dhe strehim, përfshirë Kabulin dhe qytetet e tjera të mëdha, raportet në terren tregojnë se ka raste në rritje të diarresë, kequshqyerjes, presionit të lartë të gjakut, simptomave të ngjashme me Covid-19 dhe komplikimet e shëndetit riprodhues.
“Vonesat dhe ndërprerjet në kujdesin shëndetësor do të rrisin rrezikun e shpërthimit të sëmundjeve dhe do të parandalojnë disa nga grupet më të cenueshme të kërkojnë kujdes për shpëtimin e jetës. Ekziston një nevojë e menjëhershme për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve shëndetësore në të gjithë vendin, me një fokus në sigurimin e grave që të kenë akses tek punonjësit e shëndetësisë femra. “
Ai u bëri thirrje talebanëve dhe të gjitha palëve në Afganistan të “respektojnë dhe mbrojnë civilët, punonjësit e shëndetit, pacientët dhe objektet shëndetësore”, duke shtuar: “Qasja e qëndrueshme në ndihmën humanitare, duke përfshirë shërbimet thelbësore shëndetësore dhe furnizimet mjekësore, është një shpëtim kritik për miliona Afganët dhe nuk duhet të ndërpritet.
OBSH ka dërguar qindra pajisje mjekësore dhe furnizime në spitalet afgane duke përfshirë ilaçe thelbësore për dhjetëra mijëra njerëz./The Independent/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë