Njerez

OBSH: Cigaret elektronike përdoren më shumë nga 13-15 vjeçarët shqiptarë sesa nga të rriturit

Nga Gazeta Si- Trendet aktuale të përhapjes së përdorimit të duhanit dhe cigareve elektronike tek njerëzit e moshës 15 vjeç e lart kanë gjasa që të ulen.

Sipas raportit të fundit të OBSH-së mbi përdorimin e duhanit dhe cigareve elektronike, nga 21.3 për qind përdorues, në 2030 pritet që shifra e përdoruesve shqiptarë të shkojë në 19.4 për qind.

Vlerësimi global i përdorimit të cigareve elektronike tek adoleshentët e moshës 13-15 vjeç është 7.2 për qind (8.6 për qind tek djemtë dhe 5.7 për qind tek vajzat).

Këto prevalenca përkthehen në një total prej 14.7 milionë adoleshentësh të moshës 13-15 vjeç që aktualisht përdorin cigare elektronike- 9.1 milionë djem dhe 5.6 milionë vajza.

Duke pasur parasysh se asnjë nga 123 vendet me anketa nuk gjeti prevalencë në zero (më e ulëta ishte 0.4% në Japoni në vitin 2021), në raport shkruhet se prevalenca nuk ka gjasa të jetë zero në asnjë vend; prandaj, në raport shkruhet se numri i përgjithshëm global i vlerësuar i fëmijëve që përdorin cigare elektronike është akoma më i madh.

Një krahasim i anketave të të rriturve dhe adoleshentëve për çdo vend zbulon një përdorim dukshëm më të madh të cigareve elektronike nga adoleshentët.

Në Shqipëri, në 2019 mbi 10 për qind e adoleshentëve përdornin cigare elektronike ndërkohë që nuk raportohej për përdorim nga të rriturit.

Prevalenca midis adoleshentëve të moshës 13-15 vjeç në 63 vende ishte mesatarisht nëntë herë më e lartë se prevalenca midis të rriturve, që do të thotë se gjysma e vendeve të vëzhguara kishin një raport prej 9 me 1 ose një raport më të lartë.

Vetëm gjashtë vende gjetën të rritur që përdorin cigare elektronike në një prevalencë më të lartë se fëmijët e moshës 13-15 vjeç. Këto ishin Serbia në 2022–2023 (18.4% kundrejt 16%), Irlanda në 2022-2024 (11.2% kundrejt 11%), Luksemburgu në 2022-2023 (17% kundrejt 13%), Republika e Koresë në 2023–2024 (3.3% kundrejt 1.6%), El Salvadori në vitin 2021–2022 (1.2% kundrejt 0.6%) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 2023–2024 (9.6% kundrejt 3.5%).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë