Për tre muaj, në një duzinë bisedimesh, zyrtarë të lartë të Uashingtonit kanë paralajmëruar homologët e tyre kinezë për rreziqet që lidhen me grumbullimin e trupave ruse në kufirin ukrainas, duke u kërkuar zyrtarëve të Pekinit që të bindin Rusinë që të mos pushtojë vendin.
Kjo u zbulua nga New York Times, duke cituar zyrtarë amerikanë që preferojnë të mbeten anonimë dhe që pretendojnë se kanë treguar materiale të inteligjencës për kinezët në lidhje me shtimin e ushtarëve rreth Ukrainës.
Takimi i fundit do të bëhej vetëm të mërkurën e kaluar, pak orë para se presidenti rus, Vladimir Putin, të niste operacionet speciale ushtarake në Ukrainë.
Gjithsesi, çdo herë zyrtarët kinezë – përfshirë vetë ministrin e Jashtëm (Wang Yi) dhe ambasadorin kinez në Shtetet e Bashkuara (Qin Gang) – kanë hedhur poshtë përfundimet e SHBA-së, duke besuar se një pushtim i tillë nuk ishte në axhendën e ditës të Moskës. Zyrtarët amerikanë zbuluan gjithashtu dhjetorin e kaluar se Kina kishte ndarë informacione me Rusinë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara po përpiqeshin të krijonin mosmarrëveshje midis Pekinit dhe Moskës dhe se Kina nuk do të përpiqej të parandalonte planet dhe veprimet ruse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




