Lajme

Nxitja e turizmit, qeveria lëshon viza elektronike për të huajt

Qeveria pritet të ndryshojë dhënien e vizave për shtetasit e huaj duke ofruar një formë të re të lëshimit, atë elektronike. Kjo nismë e propozuar nga ana e ministrisë për Europën dhe Politikën e Jashtme dhe Ministrisë së Brendshme parashikon dhënien e vizave në rrugë elektronike, pa qenë nevoja për t’u paraqitur personalisht pranë zyrave të ambasadave apo zyrave konsullore.
Në relacionin bashkëngjitur këtyre ndryshimeve theksohet se kjo ndërmarret edhe për qëllimin për të rritur shifrat e turizmit dhe për të mos vonuar procedurat. “Viza elektronike”, sipas projektit, lëshohet vetëm për vizën e tipit “C”, e cila i jep të drejtë mbajtësit të saj të hyjë dhe të qëndrojë në Republikën e Shqipërisë kryesisht për qëllime turistike, për një hyrje dhe afat qëndrimi të kufizuar. Formati i vizës elektronike përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Aplikimi për vizë elektronike nga i huaji bëhet online jo më shumë se 90 ditë përpara datës së planifikuar për të ardhur në Republikën e Shqipërisë, vetëm për një hyrje me vlefshmëri deri në 30 ditë qëndrimi dhe vetëm nëse i huaji është pajisur me një vizë pullë në dokumentin e udhëtimit brenda një periudhë jo më shumë se 59 muaj.

Faksimile e projektligjit të qeverisë


Sipas relacionit, ndryshimet e propozuara synojnë implementimin e sistemit të lëshimit të vizës online, i cili synon integrimin e sistemeve operative në të gjitha institucionet përkatëse të ngarkuara me verifikimin e aplikimeve për vizë dhe miratimin e tyre, në funksion të një procedure të thjeshtuar, përshpejtuar, efikase, të sigurt dhe në respekt të standardeve të kërkuara, dhe do të reduktojë ndjeshëm kohën e ofrimit të këtij shërbimi për marrjen e një vize për të huajt.
Por në të njëjtën kohë theksohet se kjo nismë ndërmerret edhe në pamundësisë financiare që ka shteti ynë.
“Fakti që Republika e Shqipërisë për shkak të kapaciteteve dhe mundësive financiare nuk ka Misione diplomatike, apo Poste konsullore në një numër të konsiderueshëm të vendeve që kërkojnë vizë për hyrjen, qëndrimin dhe daljen nga territori i Shqipërisë; rritja e interesave kombëtare ekonomike, kryesisht në fushën e turizmit, por edhe më gjerë; mundësia që ligji nr. 108/2013, i njeh aplikantit për vizë për të mos u paraqitur fizikisht, brenda periudhës 59 mujore, nëse e ka marrë vizën njëherë, argumenton realizimin e lëshimit të vizave elektronike online për të huajt në Republikën e Shqipërisë”, është një nga argumentet e qeverisë.

Tipi i vizës "C" që lëshon ambasada shqiptare për të huajt


Ndryshimet e propozuara në lidhje me dispozitat që rregullojnë lejen e punës së të huajve, synojnë të reduktojnë periudhën kohore që duhet për të marrë një leje pune, duke unifikuar dhe reduktuar periudhën kohore gjatë këtij procesi që krijon përsëritje të procesit dhe nuk kontribuon në arritjen e qëllimit për të cilën është vendosur si afat. Projektligji qartëson procedurën e përcaktuar në ligj për të punuar në Republikën e Shqipërisë, duke përcaktuar qartë autoritetet përgjegjëse të përfshira dhe rolin e tyre në proces. Gjithashtu, synohet edhe dhënia e të njëjtave përfitime për hyrjen në tregun e punës në vend, si të shtetasve të BE-së dhe të zonës Shengen që aktualisht janë të parashikuara në ligjin “Për të huajt”,edhe anëtarëve të familjeve të tyre.
Në nenin 5, të projektligjit, është parashikuar që pas shkronjës “a”, të nenit 72, të shtohet shkronja a/1, në të cilën përcaktohet përjashtimi nga detyrimi i pajisjes me leje pune dhe certifikatë regjistrimi në punë edhe i anëtarëve të familjes së shtetasve të një prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen që nuk janë shtetas të këtyre vendeve dhe që janë me qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me pikën 1, të nenit 24, të Direktivës 2004/38 / KE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit e datës 29 prill 2004 “Mbi të drejtën e qytetarëve të Bashkimit dhe anëtarëve të familjes së tyre për të lëvizur dhe për të qëndruar lirshëm brenda territorit të Shteteve Anëtare”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë