Ky vit shkollor ishte i vështirë për të gjithë nxënësit e sidomos për gjimnazistët që mbyllën gjimnazin dhe tashmë i pret një tjetër sfidë, Universiteti.
Ministria e Arsimit ka prezantuar 40 nxënësit më të mirë të Maturës 2021 ku dy prej tyre janë edhe Rexhina Çeka, 18 vjeç nga Kavaja edhe Artemisa Demushi nga Durrësi. Dy vajzat tregojnë për Gazetasi.al se kalimi nga mësimi fizikisht në mësim online ka qenë një sfidë për të gjithë, si mësuesit si nxënësit, se pasiguritë kanë qenë të mëdha dhe në çdo moment ka qenë frika e një dështimi, frika se mos nuk do të arrijnë të mbajnë të njëjtin ritëm në nota dhe kështu do të prekej dhe dëshira e tyre për të vazhduar Universitetin në një degë që kërkon të japësh shumë për të marrë mjaftueshëm. Sa e vështirë ka qenë për to të mbajnë 10-en në një vit që ishte ndryshe nga zakonisht?

“Pjesa më e vështirë e kësaj periudhe ishte ndoshta mospërgatitja për një gjë të tillë sidomos nga ana e mësuesve. Platformat e shumta si Zoom apo Google Classroom ishin të padëgjuara për shumicën e mësuesve dhe vështirësia për ti përdorur ishte e madhe”, thotë Demushi, gjimnaziste në Gjimnazin “Rilindja”, duke shtuar se edhe ajo si nxënëse e kishte të pamundur të përvetësonte çdo informacion dhe u bë për të një rutinë e çrregullt e gjitha cka e përjetoi keq edhe nga ana psikologjike dhe “ky ishte disavantazhi më i madh”.
Më dukej sikur koha nuk ishte e mjaftueshme. Kalova me muaj të tërë duke u zgjuar mëngjes herët në orën 5:00 dhe duke mbyllur ditën në mesnatë”, tregon Demushi.
Ndërkohë Çeka e cila ishte maturante në Gjimnazin “Aleksander Moisiu” në Kavajë thotë për Gazetasi.al se pjesa më e vështirë ka qenë adaptimi me mënyrën dhe kohën e studimit , pasi “mësimi në shtëpi krijoi ndjenjën e dembelizmit, por megjithatë arrita ta racionalizoja duke i kushtuar studimit kohën e duhur”.

Ajo tregon se vështirësia më e madhe qëndronte tek lëndët shkencore pasi dhe përthithja e informacionit online nuk ishte aq efikas sa në bankat e shkollës.
Por, tani që gjimnazi ka mbaruar dhe vajzat kanë arritur të mbajnë të njëjtat rezultate maksimale dhe në kohë pandemia, ku e shohin të ardhmen e tyre?
“Ka shumë arsye për t’u larguar, po aq dhe për të qëndruar. Mendoj se edhe këtu mund të bëj një jetë të mirë”, thotë Ceka e cila, njësoj si Demushi, dëshiron të studiojë për mjekësi.
Më këtë zgjedhje ecin bashkë ëndrra dhe frika. Ëndrra për të bërë diçka për vendin e tyre dhe frika se mos zhgënjehen.
“Në një të ardhme mund të ndryshoj mendim , por për momentin e shoh veten këtu”, tregon Çeka që duke qenë e bindur për zgjedhjen e saj, as nuk ka kërkuar të dijë gjithçka për sistemin universitar jashtë vendit.
Një rol të madh në zgjedhjen e tyre luan dhe familja që, ndoshta tërthorazi, dashuria për to ka ndikuar në të marrit përsipër për të studiuar në Shqipëri.
“Ishte zgjidhja ime personale por ka ndikuar edhe mjedisi familjar. Jam shumë e lidhur me familjen”, thotë Çeka, ndjekur nga Demushi që tregon se do të qëndrojë pranë familjes dhe të jetojë ëndrrën këtu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



