Gjigandi i teknologjisë Nvidia do të investojë në kompaninë e Mira Muratit, Thinking Machines Lab, si pjesë e një partneriteti disa-vjeçar, në kuadër të të cilit startup-i do të vendosë të paktën një gigavat çipash shumë të avancuar për të trajnuar dhe për të përdorur modelet e tij më të përparuara të inteligjencës artificiale.
Marrëveshja përfshin një bashkëpunim për të projektuar sisteme për trajnimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale duke përdorur teknologjinë e Nvidia. Madhësia dhe struktura e investimit nuk janë bërë të ditura.
Thinking Machines, e themeluar vitin e kaluar nga Mira Murati, ish-drejtoresha e teknologjisë në OpenAI, së bashku me disa nga ish-kolegët e saj, deri tani ka qenë kryesisht e rezervuar për planet e saj. Kompania publikoi vitin e kaluar produktin e saj të parë, Tinker, një mjet që ndihmon studiuesit të trajnojnë modele të inteligjencës artificiale. Ajo ka deklaruar se synon të krijojë sisteme AI që punojnë bashkë me njerëzit, dhe jo që të funksionojnë plotësisht në mënyrë autonome.
Partneriteti është hapi më i fundit i Nvidia për të mbështetur kompanitë e reja në industrinë e inteligjencës artificiale. Marrëveshja i jep laboratorit relativisht të ri të AI fuqi të madhe kompjuterike për të avancuar kërkimet e tij, si edhe financim për të paguar stafin.
Megjithëse Thinking Machines po përdorte tashmë çipat e Nvidia për të zhvilluar modelet e saj, partneriteti i ri e forcon edhe më shumë marrëdhënien, duke e bërë startup-in një klient të rëndësishëm. Murati e quajti teknologjinë e Nvidia “themeli mbi të cilin është ndërtuar i gjithë fusha e AI.”
Thinking Machines ka qenë duke konkurruar fort për të tërhequr studiues të talentuar të AI, ndërkohë që vlerësimet e kompanive në këtë industri janë rritur shumë. Sot kompania ka rreth 120 punonjës, nga rreth 30 që kishte një vit më parë, sipas personave të njohur me situatën.
Drejtori ekzekutiv i Nvidia, Jensen Huang, përmendi ekipin që ka mbledhur Thinking Machines, ku përfshihet edhe bashkëthemeluesi i OpenAI, John Schulman, si një nga arsyet e marrëveshjes, duke thënë se kompania “ka bashkuar një ekip të nivelit botëror për të shtyrë përpara kufijtë e inteligjencës artificiale.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje