Dosje

Nuredin Dumani në gjyq: Më dhanë 95 mijë euro për vrasjen e Dritan Shkozës! Mirë që u vra komisari Dritan Lamaj, më hyri në hak kot

Gazeta Si – I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka vazhduar edhe këtë të enjte me dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme për dosjen “Plumbi i Artë”.

Dumani ka rrëfyer për arrestimin e tij të parë për vjedhjen e dy makinave, si dhe njohjen me Henrik Hoxhajn.

Teksa po rrëfente për vrasjen e Dorian Shkozës të ndodhur në mars të 2020-ës, Dumani tha se Henrik Hoxha i kishte premtuar 95 mijë euro për krimin e kryer.

Ndërsa gjatë kohës që Dumani fliste, një prej të pandehurve Enver Diva i cili akuzohet për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, u ngrit në seancë dhe deklaroi se kishte 120 minuta incizime të Dumanit.

Sipas tij, i penduari i drejtësisë, kishte në plan të fuste në burg të gjithë shokët e të shumëkërkuarit Talo Çela. Sipas Divës, në incizim shfaqen edhe deputetë e gjyqtarë që kanë ndihmuar Dumanin.

“Henrik Hoxhaj e kam takuar në dhjetor 2019. Festim Qoli më ka folur për Henrikun kur kam dalë nga burgu për herë të parë, ose herën e dytë nuk më kujtohet fiks. Jam arrestuar atëherë për vjedhjen e dy makinave në Tiranë. Dola nga burgu dhe i thashë për një shef policie te Komisariati numër 6. Ai më goditi disa herë kur jam arrestuar, mora vesh që ai ishte vrarë pastaj. I thashë Festimit mirë që u vra Dritan Lamaj, se më hyri në hak kot. Për vrasjen e Elvis Dedës, Festim Qoli ka qenë në kërkim”, rrëfeu Dumani historinë me ish-komisarin e ndjerë dhe njohjen me Hoxhën.

Më tej, ai ka rrëfyer njohjen me vrasësin tjetër Henrik Hoxhaj dhe takimet me të, premtimin për 95 mijë euro për të vrarë Dorian Shkozën, që njëkohësisht e kishte edhe shokun e tij.

Premtimi ishte për 100 mijë euro, por 5 mijë euro ishte marrë telefoni i enkriptuar në një dyqan në qendër të Tiranës, me modin sekret “Covid19” dhe platformën “Sky Ecc”.

“Në takimin mes meje me Henrik Hoxhës në Tiranë, te “Hotel Diplomat”, kemi bërë muhabete për atentatin që do ndodhte. Të tre jemi takuar në ditëlindjen e Festim Qolit. S’e kam bërë bisedën me Henrik Hoxhën në këtë takim, sepse ai ishte tapë. Herën e dytë që u takuam, unë dhe Festimi erdhëm në Tiranë në Bllok, aty ku jetonte Henriku. Shkuam te hotel ‘Diplomat’ dhe qëndruam 1 orë, 30 ose 40 minuta. Shkuam te një dyqan pas Tajvanit ku shiteshin telefona të enkriptuar. I dhashë 5 mijë euro Henrikut për telefonin. Unë kisha telefon të enkriptuar me kod Covid19. Më tha do vish do të jap 95 mijë euro për vrasjen e Dorian Shkozës në Durrës. Personi tjetër ishte Eljo Bitri. E kisha vënë në dijeni Henrikun. Elios i premtova 35 mijë euro. Të përfshirë në këtë vrasje ishim unë, Klevis Alla dhe Asllan Plaku. Alla ishte informator. Klevis Alla ditën e ngjarjes ka ardhur te shtëpia ime disa herë, ishte koh Covidi”, tregon i penduari i drejtësisë.

Dumani shpjegon edhe vonesat në realizimin e vrasjes, për shkak të disa faktorëve:

“E kishim organizuar edhe një ditë para për të vrarë Dorjan Shkozën, por na u prish makina. Disa ditë përpara vrasjes fola me Klevis Allën. Dorian Shkozën e kam pasur shok. Nuk kemi pasur konflikt fizik bashkë, as unë as vëllai im Dashnori. Eljo Bitri ka qendruar te shtepia ime para vrasjes së Dorian Shkozës, ka fjet aty. Dy-tre ditë, ngaqë ishte koha e Covid, nuk mund të shkonte dhe të vinte nga Elbasani. Me Eljo Bitrin jam njohur në 2013-2014. Në 2017 kemi bërë grabitje në një fshat të Beratit. Ka qenë dimër”, tha ai.

Por dëshmia e tij shkaktoi irritimin e të pandheurit Enver Diva, që e kundërshtoi ashpër nga kafazi.

“Unë kam një provë timen që ky do i fuste në burg të gjithë shokët e Talos. Unë e kam të incizuar me fakte dhe prova që gjyqtarë dhe deputetë kanë ardhur për të takuar Nuredin Dumanin. Janë 120 minuta incizim”, tha Diva.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë