Dosje

Nuredin Dumani dhe ‘lista e zezë‘ e vrasjeve e hartuar për 3 orë me Erion Alibejn! ‘Toto Rina’ dhe ‘Covid 19’, nofkat e të penduarit në SKY

Gazeta Si – Nuredin Dumani ka rrëfyer detaje të reja në gjyqin e dosjes “Plumbi i Artë”, ku është marrë në pyetje nga avokatët e personave nën hetim.

I penduari i drejtësisë, ka dëshmuar gjatë seancës së kësaj të marte se si ka përgatitur “listën e zezë” të vrasjeve për 3 orë bashkë me një personazh tjetër të rëndësishëm të botës së krimit në Elbasan, Erjon Alibej.

Sipas tij, ndërmjetësi i njohjes me Alibejn (i cili ndodhet në burg), në këtë rast ka qenë Eljo Bitri, për të cilin, Dumani thotë se e ka njohur në vitin 2013 dhe ka pasur marrëdhënie shoqërore me të.

Bitri e ka vënë në dijeni Dumanin se Alibej interesohej për të, pasi dyshonte se i vëllai i tij, Dashnor Dumani, kishte qëlluar në atentatin ndaj Indrit Alibejt, në atë që njihet si masakra e Bradasheshit në vitin 2018.

“Elio më tha që Erion Alibej ka rënë në gjurmë që vëllai im ka qëlluar në drejtim të vëllait të Erjon Alibejt dhe familjes së tij. Kam pranuar për një takim. Kam shkuar tek shtëpia Elio Bitrit. Ka ardhur dhe Arjan Spahiu, më kanë kontrolluar, kemi hipur në një makinë dhe me kanë çuar në një pallat”, rrëfen Nuredin Dumani.

Ndryshim plani

Diskutimi me Alibejn nuk ka qenë për të bërë pazare ekzekutimesh, por për të vrarë Talo Çelën, dikur aleat i Dumanit, ndërsa sot një nga njerëzit më të kërkuar në Shqipëri.

Dumani tregon se ka dashur që Çelën dhe Altin Ndocin t’i vriste Alibej, por pas takimit me këtë të fundit ndryshoi gjithçka.

Ata kanë hartuar për disa orë një listë me kundërshtarët që duheshin eliminuar fizikisht dhe hynë në veprim.

Dumani tregoi se ka pasur informacione se vëzhgohej nga Dorian Shkoza me qëllim që ta ekzekutonin. E kështu kanë vendosur që serinë e krimeve ta nisnin nga Durrësi për të shkuar më pas në Elbasan.

“Kur kam takuar Alibejn nuk shkuam për të bërë pazare për vrasje, shkova për të negociuar për të vrarë Talo Çelën dhe Altin Ndocin, nuk doja t’i vrisja këta me dorën time. Doja t’i vriste Erjoni me njerëzit e tij. Pas takimit me Erjonin ndryshoi gjithçka dhe vendosëm të dy që të eliminonim kundërshtarët. Për më shumë se 2-3 orë hartuam një listë për personat. Kisha informacion që Dorian Shkoza me vëzhgonte për të më vrarë. Do fillonim ekzekutimet nga Durrësi pastaj në Elbasan”, tha Dumani.

Tre nofkat e Nuredin Dumanit në telefonat e enkriptuar

I penduari i drejtësisë ka rrëfyer pseudonimet e përdorura në platformën “SKY ECC”. “Kam pasur disa pine. Pseudonimet kanë qenë: ‘Covid 19’, ‘Alcatraz’, ‘Toto Rina’. Vetëm në ‘SKY’ kam përdorur ‘Covid 19’ dhe Toto Rina”, iu përgjigj Dumani avokatit.

Në bisedat e zbardhura gjatë seancës së sotme, Dumani tregon edhe pazaret e vrasjeve. Sipas tij nuk ka pasur radhë, por kush ishte më i lehtë vritej i pari. Ishin 20-30 emra”.

Talo Çela dhe Suel Çela!

Dumani ka pohuar në sallë se Talo Çela kishte dashur që t’i vriste, teksa më tej dha detaje për miqësinë e vjetër mes tyre dhe sherret që çuan deri në hakmarrje të përgjakshme, me disa viktima.

Ai zbuloi gjatë dëshmisë në GJKKO se i shumëkërkuari Suel Çela kishte komunikuar me të në aplikacionin e fshehtë ku i kishte dërguar foto të një dosje hetimore në të cilën tregohej se i arrestuari Xhulian Hoxha punonte për grupin e Çapjave në Elbasan.

“Suel Çela me çoi ne aplikacionin “MATRIX” me foto nje procesverbal te nje dosje hetimore, ku xhuljan hoxha dilte lidhje e grupit Çapja. Do ta shikoni kur te hapet MATRIX-si. Unë kam pasur sky ecc edhe matrix, dolen pastaj edhe “BQ”, un i kam dhen prokurorise gjithe pinet dhe pseudonimet e mia”, – deklaroi Dumani.

Akuzat

Nuredin Dumani u arrestua mbrëmjen e 29 marsit të vitit 2022 në Fier, pak pasi kishte marrë mjekim për plagosje në shpinë nga tre mjekë në një shtëpi private.

Ai është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i Prokurorisë së Posaçme, duke rrëfyer të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro.

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur në janarin e vitit 2024 hetimet për dosjen “Plumbi i Artë” dhe ka dërguar çështjen në gjykatë për 20 të pandehur.

Mes personave që do të gjykohen, janë Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Erion Alibej, Skerdi Tase dhe 16 të pandehur të tjerë.

Ata janë të dyshuar për një seri vrasjesh, atentate të mbetur në tentativë, apo vjedhje me dhunë, ngjarje të cilat u zbardhën pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Ky i fundit akuzohet si autor i 9 vrasjeve dhe tentativave për vrasje, si dhe tre raste të tjera të vjedhjeve me dhunë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë