Komunitet

Numri i të prekurve është 10 herë më i madh… Por ky është një lajm i mirë për ne

“Për çdo pacient të konfirmuar, ka dhe 10 raste të tjera të pazbuluara”. Ky është parimi me të cilin po ecin pjesa më e madhe e ekspertëve dhe mjekëve botërorë, në mënyrë që të jenë “një hap përpara” koronavirusit.

Për shkak të mungesës së transparencës nga Kina, askush në Europë nuk e kishte parashikuar shkallën reale të përhapjes së virusit. Megjithatë, tani që Europa është kthyer në qendrën e pandemisë, ekspertët kanë zbuluar se numri real të infektuarve mund të jetë shumë më i madh. Në Italinë fqinje, sipas një studimi të fundit, mund të ketë 10-fish më shumë të prekur sesa rastet e konfirmuara. Lajmi i mirë është se pjesa dërrmuese e të infektuarve, e kalojnë virusin “në këmbë”. Por çfarë ndodh në Shqipëri dhe sa gjasa ka që këto të dhëna të pasqyrohen edhe në vendin tonë?

Mjeku i njohur infeksionist Pëllumb Pipero i thotë Gazetës Si se në vendin tonë numri i të infektuarve ka të ngjarë të jetë të paktën 10-15 herë më i lartë, pasi një pjesë e të prekurve nuk shfaqin simptoma.

Pëllumb Pipero, Gazeta Si, 2020

“E kam thënë me dhjetëra herë, madje i pari, që mbas çdo rasti të konfirmuar në rastin më të mirë fshihen 10-15 raste të pa zbuluara”, shprehet Pipero për Gazetën "Si". “Këto raste nuk kanë manifestime klinike, por sigurisht janë pozitive dhe vazhdojnë të shpërndajnë virusin qetesisht”, thekson ai.

Për mjekun e njohur prandaj është edhe jetësor qëndrimi në shtëpi dhe gjurmimi i sa më shumë rasteve kontakti.

Deri më tani, Shqipëria ka regjistruar 174 raste me koronavirus, ndërkohë që harta e epidemisë po përhapet dita-ditës në qytete të tjera të vendit. Por ndoshta për shkak të numrit të ulët të testimeve, numri i të infektuarve që po shohim tani, është sipas mjekëve vetëm maja e ajsbergut.

Mjeku imunolog Genc Sulçebe thotë po ashtu se personat e infektuar me koronavirus që janë kapur përmes analizave (tamponëve) janë vetëm fillimi, pasi sipas tij, ashtu si edhe në Itali, numri real i të prekurve është më i lartë.

“Ato që kapen me analiza janë vetëm maja e ajsbergut. Maja e atyre që janë poshtë rastit të kapur me analiza. Ky virus do përhapet. Do përhapet, por nuk duhet të kemi frikë”, thotë eksperti. Sipas imunologut shqiptar, por edhe ekspertëve europianë, fakti që numri i të infektuarve është më i lartë, është rrjedha më pozitive që ka marrë deri më tani pandemia.

Kur u shënua vdekja e parë në Itali, në Veneto ishin infektuar 3% e banorëve dhe gjysma e këtyre sië është zbuluar së fundmi nuk kishin simptoma. Autoritetet morën menjëherë masa dhe u izolua i gjithë qyteti”, u shpreh mjeku në një intervistë në Top Channel.

Nëse do të krahasonim të dhënat e vendit tonë me Italinë, ku numri i rasteve të konfirmuara është 70 mijë, por ai reali pritet të jetë 700 mijë, i bie që në Shqipëri të ketë aktualisht të rreth 1700 të infektuar.  Nëse studimet do të konfirmohet, në rastin e Shqipërisë vetëm 10% e të prekurve, pra 170 kanë shfaqur simptoma. Nga rastet e konfirmuara nga mjekët shqiptarë, një pjesë po e kalojnë virusin në shtëpi, ndërsa një tjetër ka nevojë për trajtime të lehta. Nga 174 rastet e konfirmuara, ata që kanë nevojë për trajtim të vazhdueshëm janë më pak se gjysma. Kjo do të thotë se më pak se 10% e të gjithë të prekurve kanë nevojë për trajtim.

Sulçebe thotë se nisur nga eksperimentet e bërë dhe në vendet e tjera, për 174 persona të prekur që ka Shqipëria, mund të sjellë që 50 mijë persona të kenë qenë në kontakt me koronavirusin, por numri i atyre që janë infektuar është shumë i vogël. Megjithatë, edhe pse mund të mos shfaqni asnjë simptomë, kjo nuk do të thotë se nuk e përhapni virusin.

“Nuk mund të izolohen 2.8 milionë banorë se është e para e vështirë, por dhe joefektive. E vetmja mënyrë them unë është izolimi i njerëzve në barthamën e shtëpisë. Pra ata që janë të prekur apo kanë shenja të mos infektojnë të tjerët që të kemi mundësi të imunizohet popullsia, dhe kjo duhet bërë gradualisht”, shtoi mjeku Sulçebe.

Edhe pse në vendin tonë, autoritetet  nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht mundësinë se po shohim vetëm “majën e ajsbergut”, ai që e konfirmoi në Itali se numri real i të prekurve mund të jetë 10 herë më i madh, ishte kreu i Agjencisë së Mbrojtjes Civile së vendit fqinj, i cili deklaroi se për çdo pozitiv të certifikuar zyrtarisht, ka dhjetë të infektuar pas tij.

Kjo do të thotë se përqindja e vdekshmërisë është shumë më e ulët, edhe pse Italia ka tani për tani numrin më të lartë të viktimave. Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetit, Italia kishte një vdekshmëri prej më shumë se 9% të të gjitha rasteve të konfirmuara.

Nëse vendi fqinj ka pasur me të vërtetë dhjetë herë më shumë raste të regjistruara, shkalla e vdekjes do të ishte 0.9%. Kjo do të ishte më në përputhje me nivelin e vdekjeve në Korenë e Jugut, për shembull.

Edhe pse 700 mijë të infektuar tingëllon një shifër alarmante, kjo vërteton edhe njëherë se më pak se 10% e të infektuarve kanë nevojë për trajtim mjekësor, pasi numri të shtruarve në spitalet italiane nga koronavirusi është më pak se 40 mijë.

Sipas një studimi të fundit të autoriteteve kineze, të cilat kanë filluar ta pranojnë se numri real i të prekurve në Kinë ka qënë shumë herë më i madh, për çdo viktimë nga koronavirusi, në vendin aziatik ka pasur më shumë se 500 të infektuar.  

Lajmi i mirë nëse të dhënat rezultojnë të sakta është se koronavirusi nuk u shkakton asnjë komplikacion apo simptomë gati 90% të të prekurve. Lajmi i keq është se mund të jeni duke e përhapur, edhe pse nuk e kuptoni se jeni infektuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë