Mendim

Numri i lartë i emigrantëve, shenjë e një shoqërie të shëndetshme dhe dinamike

Nga Gideon Rachman  “Financial Times”-“Ndërsa shoh nga e ardhmja, jam plot me parandjenja të këqija. Ashtu si romaku, më duket se shoh lumin Tiber që shkumon shumë gjak. . . “.  Paralajmërimi i Enoch Powell mbi rrezikun e migrimit masiv të të huajve drejt Britanisë së Madhe, u bë në vitin e largët 1968.

Ata që e konsideruan si një profet politikanin e ndjerë konservator, do të ndihen sot të shfajësuar. Reagimi kundër migracionit, ka zënë një vend gjithnjë e më qendror në politikën perëndimore. Fundjavën që shkoi, në të gjithë Gjermaninë u zhvilluan protesta kundër partisë së ekstremit të djathtë, AfD, e cila është duke u rritur shumë në sondazhe.

Për më tepër po akuzohet se ka në plan dëbimin masiv të miliona emigrantëve, të ligjshëm dhe të paligjshëm. Në SHBA, Donald Trump ka deklaruar së fundmi se emigrantët e paligjshëm po “e helmojnë gjakun“ e kombit amerikan.

Qeveria britanike vazhdon të jetë e fiksuar pas planit të saj shumë të diskutueshëm për t’i dërguar në Ruandë azilkërkuesit. Pra a mos vallë po vërtetohet parandjenja e Powell, më shumë se 50 vjet pas fjalimit të tij? Ose ndoshta jo.

Unë gjykoj se dy janë të metat kryesore tek ideja se migrimi masiv ishte një gabim, i cili tani po e copëzon shoqërinë perëndimore. Së pari, është absurde ideja që homogjeniteti etnik garantonte dikur paqen sociale në Perëndim. Së dyti, do të ishin shumë të mëdha kostot sociale dhe ekonomike nga kufizimi i ashpër i migracionit.

Shumë nga ata që sot ankohen për “emigrantët e shumtë”, do të zemërohen nga kostot që do të vinin nga të pasurit shumë pak prej tyre. Nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë se emigracioni masiv nuk krijon tensione dhe probleme. Këto të fundit, i shkakton gati çdo ndryshim i madh shoqëror.

Tensionet rreth çështjes së migracionit në Evropë, rriten shpeshherë shumë pas sulmeve terroriste, siç ishin ato në Francë në vitin 2015 që u kryen nga ekstremistët islamikë. Por ideja se një botë perëndimore pa emigrantë, do të jetonte në një harmoni të përsosur, është absurde nga pikëpamja historike.

Kur u rrita në Britani në vitet 1970, terrorizmi ishte një kërcënim i madh. Por bombat vendoseshin nga djem të bardhë nga Irlanda e Veriut. Historia evropiane përpara emigracionit masiv, është plot gjakderdhje dhe trazira. Anglia, Franca, Rusia dhe Spanja kanë përjetuar luftëra civile brutale shumë kohë përpara epokës së emigracionit masiv.

Disa njerëz në Perëndim, shohin sot me zili vende si Japonia dhe Koreja e Jugut, të cilat kanë një qasje shumë më kufizuese ndaj emigracionit, dhe për pasojë janë shumë më homogjene në aspektin etnik. Por kjo nuk i ka shpëtuar as ato nga dhuna politike.

Ish-kryeministri japonez, Shinzo Abe, u vra në një atentat në vitin 2022. Ndërsa udhëheqësi i partisë kryesore opozitare të Koresë së Jugut, u plagos me thikë disa javë më parë. Dhe të gjithë koreano-jugorët, jetojnë nën hijen e kërcënimit bërthamor nga vëllezërit e tyre etnikë të Koresë së Veriut.

Ndërkohë, këto 2 vende po përballen me nivelet më të ulëta të lindjeve në botë. Pa pasur migracionin si një kompensues, popullsia e tyre po zvogëlohet dhe plaket me shpejtësi, gjë që do të krijojë në të ardhmen presione të mëdha ekonomike dhe sociale.

Politikanët që janë kundër migracionit, deklarojnë shpesh se përgjigja ndaj niveleve të ulëta të lindjeve është nxitja e më shumë lindjeve dhe jo më lejimi i shumë emigrantëve. Por politikat pro-nataliste kanë një histori suksesi shumë modeste. Po ashtu, ata thonë se migracioni masiv sjell kosto të rënda ekonomike dhe sociale.

Matthew Goodwin, studiues britanik dhe një aktivist i spikatur publik kundër migracionit, thotë ndër të tjera:”Gati gjysma e të gjitha banesave sociale në Londër, zihen nga familjet me kryefamiljar dikë që nuk ka lindur në Britani. Nuk mendoj se kjo është një situatë e qëndrueshme”.

Por kjo e dhënë nuk është aspak befasuese. Është fakt që 41 për qind e londinezëve kanë lindur jashtë Britanisë Nëse përfshini njerëz si unë, prindërit e të cilëve kanë lindur jashtë shtetit, numri i londinezëve me “prejardhje emigrante” (siç e quajnë gjermanët) është shumë më i lartë.

E megjithatë, Londra është dukshëm qyteti më i begatë dhe më dinamik në Britani. Ajo po ecën shumë më mirë se sa pjesa tjetër e vendit, saqë “nivelimi” i pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar për të përmbushur standardet e jetesës dhe produktivitetin e Londrës, është shndërruar në një synim kryesor të qeverisë britanike.

Shkollat ​​e Londrës, të mbushura plot me emigrantë të rinj, po i tejkalojnë ato të pjesës tjetër të vendit. A mund të përbëjë niveli i lartë i migracionit, një pjesë të mirë të historisë së suksesit të Londrës? Nëse sot largoni të gjithë emigrantët nga Londra, qyteti do të ndalonte së funksionuari.

Një ditë më parë, unë i preva flokët tek një berber sirian. Më pas shkova për një vizitë në spital me një taksi që  e drejtonte një nigerian. Atje bëra një skaner - të kryer nga 2 spanjollë - përpara se të shkoja të konsultohesha me mjekun specialist të arsimuar në Nju Delhi të Indisë.

Pra pa kontributin e emigrantëve, sistemi shëndetësor kombëtar i Britanisë (NHS), do të futej në kolaps. Rreth 35 për qind e mjekëve që punojnë në NHS, janë profesionistë të lindur jashtë saj. Nëse në këtë numërim përfshijmë edhe ata që kanë ardhur nga jashtë dhe kanë marrë nënshtetësinë e Mbretërisë së Bashkuar, atëherë shifra do të jetë shumë më e lartë.

Ashtu siç e thotë edhe ajo fjala e urtë se “nuk ka ateistë në një strofull dhelprash”, edhe unë dyshoj nëse ka shumë racistë në repartin e kujdesit intensiv nëpër spitale. Natyrisht, në një demokraci debati mbi nivelet e migrimit është plotësisht legjitim. Edhe kalimet ilegale të kufirit, përbëjnë një problem të veçantë, pasi tregojnë se si po degradon sundimi i ligjit.

Por si në Britaninë e Madhe ashtu edhe në SHBA, shumica e emigrantëve kanë mbërritur legalisht. Të djathtët thonë shpesh se politikanët duhet të guxojnë të thonë të vërtetën mbi  emigracionin. Edhe unë jam dakord. Por e vërteta, është se nivelet e larta të migrimit janë një shenjë e një shoqërie dinamike dhe të shëndetshme, dhe jo një pararojë e katastrofës së afërt  apo “lumenjve të gjakut”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë