Menaxhim

Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve private u rrit me 8.2% në 2021-shin

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se numri total i anëtarëve në fondet e pensioneve private arriti në 33 571. Gjatë vitit 2021, këtyre fondeve iu janë shtuar rreth 2600 kontribuues.

Numri i anëtarëve në dekadën e fundit është rritur me afërsisht katër herë.

Aktualisht, numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat është sa 2.6% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend (bazuar në Anketën e Forcave të Punës së INSTAT).

Anëtarët në fondet e pensioneve private deri tani ndahen në dy grupe kryesore: kontribuues individualë dhe anëtarë të skemave profesionale të sigurimit, të ngritura nga punëdhënësit dhe që financohen pjesërisht apo plotësisht prej tyre, në formën e përfitimeve për punonjësit.

Vlera e aseteve neto të fondeve të pensionit në fund të vitit 2021 arriti në 4.58 miliardë lekë ose rreth 38 milionë euro, në rritje me 27.2% krahasuar me një vit më parë. Me këto shifra, fondet e pensioneve private ngelen segmenti më i vogël i tregut financiar në Shqipëri.

Asetet e fondeve të pensioneve janë të investuara kryesisht në obligacione të qeverisë shqiptare.

Në treg aktualisht veprojnë katër fonde të pensioneve private. Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 54.6% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 27%, Raiffeisen Pension me 9.6% dhe Albsig Pension me 8.8%.

Krahasuar me një vit më parë, fondi që ka fituar peshë tregu është Albsig Pension, me rreth 2.8 pikë përqindje më shumë, ndërsa të treja fondet e tjera kanë pësuar një rënie të lehtë në peshën e tregut.

Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 44.6% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension me 29.4%, Raiffeisen Pension me 22.7% dhe Albsig Pension me 3.3%.

Edhe në vlerë asetesh rritjen më të madhe të pjesës së tregut e ka shënua Albsig pension, me rreth dy pikë përqindje më shumë. Një rritje të lehtë të pjesës së tregut ka arritur edhe Sigal Pension, ndërsa Credins Pension dhe Raiffeisen Pension ka një peshë më të ulët krahasuar me vitin 2020. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë