Lajme

Nuk shkarkoi 3 gjyqtarë, Presidenti dhe ministrja e Drejtësisë kundër KLD

Presidenti reagoi përmes zëdhënësit të tij, Tedi Blushi në lidhje me deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë pas vendimeve të mbledhjes së 7 majit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili rrëzoi kërkesën e qeverisë për shkarkimin e tre gjyqtarëve.

Në reagim thuhet se Presidenti shpreh keqardhjen për mosmiratimin e propozimeve të Ministrisë së Drejtësisë nga KLD, pasi vetë kreu i shtetit i ka mbështetur kërkesat e saj.

“Mbledhja e ditës së djeshme dhe vendimarrja e shumicës së anëtarëve të KLD-së për procedimin e gjyqtarëve tregon edhe një herë nevojën ekstreme që ka vendi për ngritjen dhe funksionimin sa më parë të organeve të reja të sistemit të drejtësisë, që janë parashikuar nga reforma” – thuhet në reagim.

Presidenti, përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi theksoi se “ngritja dhe funksionimi i organeve të reja si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë do të vendosë çdo gjyqtar përballë një sistemi objektiv të llogaridhënies për veprimtarinë e tij”.

Duke i klasifikuar si “më tepër se flagrante dhe me pasoja të rënda”, shkeljet disiplinore të kryera nga gjyqtarët, që mori të hënën në shqyrtim KLD, Presidenti theksoi se “Votimi i djeshëm për këto raste tregoi se KLD nuk i përgjigjet dot pritshmërive të shoqërisë për reformimin e sistemit të drejtësisë”.

GJONAJ PER VENDIMET E KLD - Ministrja e Drejtesise, Etilda Gjonaj, duke folur gjate nje konference shtypi, ku ka reaguar pas vendimit te Keshillit te Larte te Drejtesise, KLD, qe rrezoi kerkesen e saj per shkarkimin e tre gjyqtareve. /r/n/r/nGJONAJ IN PRESS CONFERENCE - Minister of Justice Etilda Gjonaj, speaks during a press conference, reacting after the decision of the High Council of Justice, that refused her request for the dismissal of three judges.

Ndërsa më herët, ministrja e Drejtësisë e cilësoi “ditë të zezë” për KLD, të hënën e 7 majit. Në reagimin e saj ministrja Etilda Gjonaj theksoi “Indinjatë personale dhe qytetare për vendimarrjen e pajustifikueshme të shumicës së anëtarëve të KLD. E djeshmja ishte një ditë e zezë për këtë Këshill, pasi nxorri në pah sfidën e madhe që kemi përpara për të përmbysur sistemin e kalbur të drejtësisë! Këshilli i Lartë i Drejtësisë si një organ kolegjial ka dështuar në garantimin e llogaridhënies së gjyqtarëve, dhe është kthyer në një strukturë mbrojtëse të interesave personale të gjyqtarëve në dëm të interesit publik. Kjo është një arsye më shumë për ta vazhduar me vendosmëri reformimin rrënjësor të sistemit aktual të drejtësisë”.

Ministria e Drejtësisë kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Durrësit, Petraq Curri, për të cilin Gjonaj në reagimin e saj deklaroi “Këshilli i Lartë i Drejtësisë refuzoi të shkarkonte një gjyqtar të gjykatës së Durrësit, i cili në mënyrë diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit, la të lirë dhe mundësoi kështu arratisjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, që kërkohej nga shteti italian për ekstradim”.

Në lidhje me gjyqtarin e Fierit Ergys Selmani, që nga KLD mori vetëm masën “Vërejtje”, ministrja tha “Këshilli i Lartë i Drejtësisë refuzoi të shkarkonte një gjyqtar, i cili në mënyrë diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit, për shkak të mosarsyetimit tejet të dyshimtë të vendimit të urdhrit të mbrojtjes në kohë, solli humbjen tragjike të jetës së një gruaje prej duarve të bashkëshortit të saj, të ndjerës Liljana Ruka”.

Ministrja foli me tone kritike edhe për vendimin e KLD ndaj gjyqtarit të Vlorës, Ken Dhima “Këshilli i Lartë i Drejtësisë refuzoi të shkarkonte një gjyqtar të Gjykatës administrative Vlorë, i cili në mënyrë diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit, kishte plot 212 vendime gjyqësore të arsyetuara me vonesë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë