Nga Gazeta 'Si'- Në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që fillon të mërkurën pasdite(13 dhjetor), në Bruksel, kanelari gjerman Olaf Scholz ka kërkuar heqjen e vetos për etapa të caktuara të zgjerimit.
Gjatë një deklarate qeveritare në Parlamentin Gjerman për Samitin e BE-së në Bruksel, kancelari gjerman Olaf Scholz, bëri thirrje, ndër të tjera, për më shumë mbështetje dhe vlerësim për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Scholz kujtoi se “prej 20 vjetësh, vende si Shqipëria, Bosnja-Herzegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë në pritje për t’u bërë pjesë e BE-së” dhe shtoi se tani “ka ardhur koha që të gjithë të shohin panoramën e përgjithshme, si kandidatët, ashtu edhe vendet anëtare të BE-së”.
Sipas kancelarit gjerman, kjo panoramë e përgjithshme është “shansi historik për të lidhur përfundimisht rajonin me Europën dhe për t’ia lënë të kaluarës problemet e së kaluarës”.
“Vende që bëjnë reforma duhet të vlerësohen”
Kjo thirrje shkonte si në adresë të vendeve kandidate, por më tepër në adresë të vendeve antare të BE, që sipas Scholzit duhet të mundësojnë reformimin e brendshëm të unoinit. Konkretisht, kancelari gjerman kërkoi që për shumë hapa, në kuadër të procesit të zgjerimit, të hiqet rregulli i vetos
“Nuk ka pse çdo vendim, si çelja apo mbyllja e kapitujve të negociatave, të varet nga çdo vend anëtar. Nëse vende, si për shembull Shqipëria, kanë bërë reforma të rëndësishme, kjo duhet të vlerësohet. Përndryshe, rrezikohet të dëmtohet i gjithë procesi i anëtarësimit dhe këtë nuk duhet ta lejojmë”, tha kancelari në mes të duartrokitjeve të shumë deputetëve në sallë.
Çështja Beleri: Gjermania e trajton si bilaterale
Thirrjet e kancelarit socialdemokrat shkonin tërthorazi në adresë të Greqisë, e ciila ka kërcënuar se nuk do të lejojë çeljen e kapitullit të parë të negociatave me Shqipërinë, pa u zgjidhur çështja Beleri. Ndërsa për Greqinë, kjo është një çështje që ka të bëjë me shtetin ligjor dhe të drejtat e pakicave, për Gjermaninë është një çështje bilaterale dhe duhet të zgjidhet brenda kuadrit dypalësht. Një qëndrim, të cilin kancelari gjerman Scholz, e theksoi edhe disa javë më parë gjatë vizitës së kryeminstrit grek, Kyriakos Micotakis në Berlin. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, ndodhet prej shtatë muajsh në paraburgim me akuzën për “korrupsion aktiv” për shit-blerje votash.
Në një deklaratë para samitit foli dha edhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell i cili tha për mediat se samiti BE-Ballkani Perëndimor synon që të krijojë lidhje më të ngushta midis unionit dhe rajonit.
“Ky samit i rëndësishëm synon të krijojë lidhje më të ngushta midis BE-së dhe rajonit, anëtarëve tanë të ardhshëm të BE-së. Zgjerimi është një investim gjeo-strategjik në paqe, siguri dhe prosperitet”, tha ai.
Sa i takon dialogut Kosovë-Serbi, Borrell tha se në ditët e fundit ka pasur lajme të mira nga të dyja palët.
“Jetojmë në kohë të vështira, ndaj zgjerimi duhet të përshpejtohet sa më shumë. Ne duhet të rrisim gjithashtu forcimin e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi në luftën kundër sulmeve kibernetike dhe metodave të tjera luftërave të reja. Ka një dialog Serbi-Kosovë, për të cilën kemi investuar shumë energji. Ditët e fundit ka pasur lajme të mira, të dyja palët po lëvizin, ngadalë por po lëvizin. Dhe ne i nxisim të vazhdojnë sepse duam që të ecim edhe me integrimin e këtyre dy vendeve. Ne si Bruksel duhet të mbajmë premtimet tona dhe të përmbushim obligimet tona”- tha Borrell.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.