Treg

Nuk ka më vaj ulliri shqiptar të mbetur stok! Shitjet arrijnë në 26 mln euro në 8-mujor

Nga Gazeta ‘Si’-I gjithë vaji shqiptar i ullirit që kishte mbetur stok dy vitet e mëparshme, tashmë është shitur.

Thatësira drastike e prodhuesve më të mëdhenj të ullirit në botë, Italisë dhe Spanjës, çoi në ulje të ndjeshme të vajit në tregjet europiane duke favorizuar eksportet shqiptare të cilat kanë tejkaluar edhe pritshmëritë e ekspertëve të fushës.

Shqipëria pati vjet një superprodhim të vajit të ullirit, 100 mijë tonë ose 70 përqind më shumë se në 2021-shin. Kjo tablo e re nxiti importuesit e huaj t’i drejtohen Shqipërisë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, në tetë muajt e parë të vitit eksportet arritën vlerën e 26 milionë eurove.

Megjithatë, Agim Rrapaj, Kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, thekson për Gazetasi.al se përfitimi i fermerëve shqiptarë është ende në nivele të papërfillshme.

“Fermerët prodhues të vajit të ullirit extra të virgjër në Shqipëri e kanë shitur mesatarisht tek eksportuesit dhe grumbulluesit e shumicës me 3-4 euro /kg. Kostoja e prodhimit dhe përpunimit për shumë subjekte është po në këto nivele. Objektivi që duhet arritur në një të ardhme jo të largët është krijimi i markës shqiptare të vajit të ullirit dhe shitja në tregjet e eksportit me shumicë 6-8 euro/kg.

Gjithashtu të eksportojmë deri në 10 mijë ton vaj ulliri extra të virgjër dhe të përfitohen 60 – 80 milion euro një vit po, një vit jo”, deklaron ai.

Rrapaj shton se tani është momenti më i mirë që Shqipëria të hyjë në tregun ndërkombëtar.

Rrapaj thekson se përfitimi i fermerëve shqiptarë është ende në nivele të papërfillshme.

“Konjuktura ndërkombëtare e prodhimit të vajit të ullirit extra të virgjër e favorizon tani Shqipërinë dhe nuk duhet humbur asnjë minutë kohë që të hyjmë fuqishëm dhe me kosto të përballueshme në tregun ndërkombëtar të vajit të ullirit. Çdo vonesë në veprim do të jetë me pasoja të pariparueshme për të gjithë pa përjashtim”, vijon mandej ai.

Burime nga tregu shprehen se nuk e kanë parë këtë interesim për vajin shqiptar prej më shumë se një dekade dhe se shitjet mbaruan që në fund të muajit qershor.

“Nëse fermerët do të vijonin që të mbanin stok vajin e ullirit në shtëpi pas stinës së verës, vlerat e tij ushqimore do të humbisnin. Pavarësisht se këto eksporte janë refuxho, ku më pas vaji ynë përpunohet dhe shitet si markë e huaj, kjo situatë është tepër pozitive pasi po ndihmon në zbrazjen e vajit nga shtëpitë e fermerëve”, thotë Ylli Hajdini i cili ka kompaninë e tij prodhuese të vajit të ullirit, S.E.D Borsh.

Fakti që gjithmonë ka munguar tregu i shitjes, tregon ai, i gjeti disi të paorganizuara pikat e përpunimit dhe fabrikat pa depozita por megjithatë, ia dolën që të mos kishin më stok.

“Fabrikat përpunuese nuk kanë depozita, pasi nuk kanë investuar, duke qenë se ka munguar gjithmonë tregu i shitjes për shitjen e vajit të ullirit. Në këto fabrika, fermerët e dërgojnë ullirin vetëm për ta përpunuar si vaj, të cilin më pas e depozitojnë në shtëpitë e tyre.

Fermerët e risollën vajin te këto fabrika që kanë lidhur kontratat për eksport, kundrejt një tarife ekstra 10 lekë për litër”, vëren më tej Hajdini.

Fabrika e përpunimit, sipas tij, nuk kanë investuar në depozitim me qëllim grumbullimin e vajit që përpunojnë fermerët, për shkak të kostos së lartë nga mungesa e fuqisë punëtore, por edhe për shkak të informalitetit të lartë të fermerëve.

“Pjesa dërrmuese e fermerëve nuk janë të pajisur me NIPT, për këto arsye nuk mund të lëshojnë faturë tatimore. Informaliteti i lartë na penalizon tek investimet për të depozituar vajin, pasi nuk mund të eksportojmë vaj të blerë pa faturë”, thotë ai.

Rrapaj thotë se këtë vit prodhimi pritet i mbarë.

“Prodhimi nuk pritet të jetë në përmasat e vitit të kaluar, por është i mjaftueshëm për të mos krijuar mungesa në tregun e brendshëm.

Vijimësia e eksportit edhe këtë sezon do të vendoset nga prodhimi në vendet e tjera të Europës, por përvoja e këtij viti ka qenë pozitive për shumë fabrika të cilat kanë nisur të investojnë për rritjen e kapaciteteve të magazinimit”, citon ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë