Nga Anxhela Çelanji – “Nuk mund të mbushen burgjet me fëmijë për një cigare hashash”, tha kryebashkiaku Veliaj ditën e firmosjes së marrëveshjes me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja për ndryshimin e sistemit te drejtësisë për të miturit
Në bazë të kësaj marrëveshje të miturit që kanë probleme me ligjin, ku përfshihen përdorimi i cigareve të hashashit e konflikte të tjera të lehta, nuk do dërgohen më në Institutin e Riedukimit në Kavajë. Marrëveshja do bëjë të mundur një ri-organizim të mënyrës së si do të trajtohen të miturit që kanë problem me ligjin.
Klaudia Hasanllari në profesion Juriste dhe drejtore e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, ka shpjeguar për Gazetasi.al se marrëveshja parashikon një bashkëpunim të ngushtë mes qendrave sociale dhe institucioneve të varësisë të Ministrisë së Drejtësisë, siç janë Shërbimi I Provës dhe Qendra e Parandalimit të Krimeve për të Miturit dhe të Rinjtë.

Hasanllari shton se marrëveshja nuk parashikon vetëm ofrimin e mbështetjes tipike me dy-tre shërbime bazike për të miturin, por do të zgjerohet edhe me tej, qoftë në mbështetjen në kuadrin ekonomik, shëndetësor, arsimor, në anën e koordinimit dhe bashkëpunimit me institucionet e tjera, por edhe në gjithë përfshirjen e të miturit në komunitet, përfshirë aktivitetet sociale, kulturore, artistike, asistencën dhe ndihmën psikologjike e sociale që i duhet një të mituri për të t’u ri-integruar në shoqëri.
Më tej Hasanllari i ka shpjeguar Gazetasi.al se numri i të miturve të dënuar momentalisht është 16-të, të cilët po vuajnë dënimin pranë Institutit të të Miturve në Kavajë, ku 2 prej tyre të dënuar me vendim gjykate dhe 14 janë në paraburgim.
Sa i përket të miturve në konflikt me ligjin, Hasanllari shpjegon se kanë marrë një dënim alternativ në vitin e kaluar(2021) rreth 150-160 të mitur në të gjithë vendin.

“Qendra jonë është një institucion i krijuar në vitin 2021 në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Detyra e qendrës është të koordinojë me të gjithë institucionet përgjegjëse siç është IEVP Kavajë, Shërbimi i Provës dhe Njësia e Mbrojtës së Fëmijës dhe gjithë institucionet e linjës, lidhur me rehabilitimin e të miturve pas kryerjes së dënimit. Duke përfshirë kështu plotësimin e procesit të nevojave që ka i mituri apo i riu pas vuajtjes së dënimit”, i shpjegon Hasanllari Gazetasi.al.
E rëndësishme sipas saj është se përfshirja e të miturve në aktivitete të jashtëligjshme është e lidhur me faktorë specifikë personalë, familjarë dhe shoqërorë, të cilët duhen shqyrtuar në raport me njëri-tjetrin.
“Një aspekt tjetër me rëndësi është roli i arsimit. Një pjesë e të miturve në konflikt me ligjin nuk kanë kryer arsimin e detyruar pasi për arsye të ndryshme, socio- ekonomike janë detyruar ta ndërpresin ciklin e shkollimit. Nga rastet që kemi trajtuar me të miturit në konflikt me ligjin rezulton se një pjesë e tyre vijnë nga familje me histori të vështira, precedentë dhune, mund të vijnë nga histori abuzimi ose përfshirje në shoqëri të cilat mund ti kenë shtyrë drejt grupeve kriminale e shumë raste të tjera”, shton Hasanllari.

Duke folur për funksionalitetin e qendrës Hasanllari shpjegon se, stafi ka realizuar takime me të mitur në disa bashki të vendit, e shumë prej tyre janë ri-integruar në shoqëri pas përfundim të dënimit. Drejtoresha thotë se disa prej tyre kanë arritur të gjejnë një punë të qëndrueshme, e të tjerë i janë rikthyer arsimit. Ndërkaq, Qendra synon që nëpërmjet aktiviteteve sociale dhe kulturore me ta, këta të mitur të angazhohen edhe në zhvillimin e talenteve të tyre artistike apo sportive.
“Ne si Qendër bashkëpunojmë me të gjitha Njësitë për Mbrojtjen e Fëmijëve në të gjitha bashkitë e vendit. Tani kemi në trajtim 13 raste të miturisht dhe rikujtoj që qendra është në fillimet e saj drejt rrugës së konsolidimit. Në momentin kur i mituri del nga Instituti i Ekzekutimit te Dënimit Penal në Kavajë, minimalisht deri në 6 muaj Qendra ka detyrimin që të ndjekë ecurinë e të miturit në lidhje më ri integrimin e tij. Të miturit janë të ndryshëm dhe problematikat e tyre, kërkojnë e meritojnë plane rehabilitimi të veçanta dhe të posaçme”, shton më tej Hasanllari.
Drejtoresha shpjegon se marrëveshja e re do të vijojë edhe në bashki të tjera, por paraprakisht Qendra ka promovuar këtë nismë të re tek të miturit duke komunikuar me ta. Ata njihen menjëherë me të gjithë mbështetjen institucionale, me të gjithë instrumentat që i shoqërojnë që në momentin e daljes nga Institucioni dhe deri në rehabilitimin dhe ri integrimin në shoqëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



