Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë të martën për djegien e emrave të kandidatëve të opozitës në listat shumemërore të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim. KQZ do të zhvillojë një mbledhje ku në rendin e ditës janë 14 pika për për shpalljen e moszgjedhshmërisë të kandidatit të rradhës në listën shumemërore të PD dhe LSI.
Kjo nënkupton se 14 personat që ishin në listën si fitues pas dorëzimit të mandateve nuk i janë përgjigjur thirrjes së KQZ-së për t’u paraqitur edhe dorëzuar të plotësuar formularin e Dekriminalizimit. Ky detyrim ligjor, sipas burimeve pranë KQZ-së, në rast se nuk plotësohet bën që personat në listën e fituesve të digjen, duke mos marrë mandatin e deputetit.
Nisur nga ky konstatim KQZ-ja do të shpallë moszgjedhshmërinë e kandidatit të radhës në listën shumemërore të PD-së dhe LSI-së. Në listën e publikuar nga ana e KQZ-së janë edhe emra të njohur që dikur kanë qenë deputetë apo ish-ministra apo zv.ministra. Arben Ristani, ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD është në listën që ka refuzuar të paraqesë deklaratën e Dekriminalizimit, më tej ndiqet nga Gert Bogdani, apo nga Sokol Dervishaj, Erisa Xhixho dhe Dritan Hylli të LSI-së. Mësohet se pas këtij vendimi KQZ-ja do të nisë fazën e dytë të plotësimit të vakancës së krijuar, duke i bërë thirrje emrave të tjerë që janë në listën shumemërore të PD-së dhe LSI-së.
KQZ-ja gjithashtu do të ndërmarrë vendimin nesër për të dhënë mandatet e deputetit për Alban Zenelin e PD-së për qarkun e Kukësit dhe të Ligoraq Karamelos të PD-së për qarkun e Korçës. Ata do të zëvendësojnë deputetët Flamur Noka dhe Valentina Duka, si të parët e listës.
LISTA e PD r
Taulant Zeneli Elbasan
Sindi Daiu Elbasan
Nada Krypa Elbasan
Denisa Vata Fier
Elisabeta Kurti Fier
Mirela Tabaku Tiranë
Gert Bogdani Tiranë
Barbara Doda Tiranë
Ina Haxhija Tiranë
Arben Ristani Vlorë
Matilda Qurku Tiranë
Lista e LSI
Erisa Xhixho Fier
Dritan Hylli Shkodër
Sokol Dervishaj Vlorë
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




