509 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosrespektim të urdhrit të dhënë për ndalim qarkullimi të automjeteve në të gjithë vendin.
Policia e Shtetit së bashku me Forcat e Armatosura prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, kanë vijuar kontrollin e zbatimit të këtyre masave shtesë.
Policia thotë se prej orës 06:00, deri në orën 12:00, janë shoqëruar një numër i konsiderueshëm drejtuesish të mjeteve, të cilët nuk kanë respektuar urdhrin e dhënë për ndalim qarkullimi të automjeteve, në qytetet Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan, Lezhë e Shkodër.
Policia bën me dije se janë ndëshkuar 171 drejtues mjetesh në Tiranë, 77 në Durrës, 54 në Fier, 53 në Vlorë, 61 në Lezhë, 45 në Shkodër dhe 48 në Elbasan.
Ndërkohë, 76 drejtues mjetesh janë të shoqëruar në ambientet e Komisariateve, pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë për masën administrative, për thyerjen e urdhrit për ndalim qarkullimi të automjeteve dhe po këtyre drejtueseve u janë bllokuar edhe automjetet.
Ndër të tjera, policia apelon edhe njëherë për të respektuar kufizimin e lëvizjes sipas njoftimit, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, pasi në të kundërt cilido që do shkelë këto urdhra, do përballet me sanksionet ligjore.
Por, përpos thyerjes së vendimit nga persona të ndryshëm, shumica e shqiptarëve u janë bindur masave parandaluese, duke qëndruar në shtëpi për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
Kryeministri Edi Rama njoftoi dje përmes rrjeteve sociale se ashpërsimi i kufizimit të lëvizjeve përfshin edhe automjetet private të qarkullimit dhe jo vetëm mjetet e transportit publik. Masa është e përkohshme dhe do të jetë në fuqi përgjatë gjithë fundjavës.
Të vetmet automjete që mund të lëvizin janë autoambulancat, apo makinat e tjera të administratës shtetërore, që lëvizin për shkak të detyrës, ndërsa nga automjetet private do të lejohet vetëm qarkullimi i mjeteve të transportit të mallrave, që në Tiranë dhe Durrës mund të lëvizin pas plotësimit të kushtit për akreditimin e mjeteve dhe të punonjësve të tyre.
Deri tani në vendin tonë ka 33 të prekur nga koronavirusi, ku njëra prej të cilëve ndërroi jetë në spitalin e Durrësit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




