Rend dhe Ligj

Nuk gjobiste shoferët dhe merrte ryshfet, pezullohet nga detyra polici në Fier

Gazeta Si - Një punonjës policie në Fier akuzohet për korrupsion me shoferët duke mos u vënë atyre gjoba.

Sipas njoftimit zyrtar të AMP-së, është vendosur që inspektori me inicialet R.A të pezullohet nga detyra dhe t’i ndalohet dalja jashtë vendit.

efektivi është në hetim pasi dyshohet se u merrte para drejtuesve të mjeteve për të mos u vendosur gjoba kur ata shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Sipas AMP-së, Inspektor R. A., gjatë kontrolleve që ushtronte për drejtuesit e mjeteve, nuk i ndëshkonte ata me gjoba në rastet kur shkelnin Kodin Rrugor, por u merrte atyre ryshfet dhe më pas shoferët largoheshin pa asnjë gjobë.

Policit i është ndaluar edhe dalja jashtë shtetit, ndërsa është vënë në hetim për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier-Berat), pas një hetimi të ndjekur me metoda të posaçme të hetimit ka zbatuar Urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila ka vendosur masës e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalim i daljes jashtë shtetit dhe masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë Inspektor R. A., me detyrë Trup Shërbimi në Trafikun Urban dhe Interurban në Seksionin e Trafikut Ubran dhe Interurban pranë DVP Fier, i dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Vendimi i Gjykatës erdhi në funksion të Procedimit Penal të vitit 2024, hetuar për veprat penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Nga hetimi i kryer nga AMP u dokumentua me prova se punonjësi i policisë, Inspektor R. A., gjatë kryerjes së detyrës së tij funksionale, kryente veprime korruptive me drejtues automjetesh duke mos i ndëshkuar ata me masa administrative”, njofton AMP-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë