Komunitet

Nostalgjikë vs. Modernë  – Kujt i dhemb më shumë teatri?

Nga Suadela Balliu – “Edhe  autostrada Fier-Lushnjë e ka teatrin e saj”, do të shkruante mbi fotografinë e postuar  në profilin e tij të facebook-ut aktori i ri Igli Zarka, i cili suksesin e parë skenik e njohu pikërisht në Teatrin Kombëtar me dramën “Equus” , e sjellë për publikun shqiptar vitin e kaluar nga regjisori boshnjak Dino Mustafiç.

Foto e shkrepur nga aktori Igli Zarka.

Një godinë e vetmuar në fushat përgjatë rrugës automobilistike –funksioni i së  cilës  mund të jetë me gjasë për ndonjë biznes prodhues – e që në vështrim të parë i ngjason projektit të Teatrit të Ri Kombëtar, projektuar nga studioja arkitekturore daneze  “Bjark Ingel”. Nuk dihet kush ka qenë projektuesi i asaj godine me fasadë metalike lyer në bojë të gjelbër, por edhe për projektin e teatrit të ri nuk kanë munguar diskutimet mbi ngjashmërinë jo të vogël mes tij dhe  “Busan Opera House” në Korenë e Jugut.

Projekti i Teatrit të ri Kombëtar, projektuar nga studioja "Bjark Ingel".

Një konstruksion modern, masiv në përmasa, por minimalist në stil arkitekturor,  i projektuar me salla shfaqjesh e dhoma për aktorët, ndërsa hyrja është menduar të jetë me orientim nga rruga këmbësore, aty ku sot hyhet për në Teatrin Kombëtar  Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Studioja  ka parashikuar një hapësirë nën godinën e cila në qendër merr një formë kulmi, e që do të përdoret jo vetëm për kalimtarët, por edhe si galeri apo shesh për ngjarje kulturore si koncerte. Me dy funksione do të jetë edhe tarraca e ngrehinës, që projekti e sheh  si amfiteatër.

Projekti i "Buran Opera House" , në Korenë e Jugut. 

Videon e plotë me hollësitë e projektit, jo vetëm në pjesën e jashtme, por edhe faciliteteve brenda saj e ka postuar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e quajtur projektin një mbështetje masive për progresin. “A do të modernizohemi apo do mbetemi peng i nostalgjisë?” – ka thënë në një intervistë televizive Veliaj, ndërsa i referohej projektit për  teatrin e ri e me gjasë zërave që e kanë kundërshtuar  ndërtimin e tij dhe vazhdojnë ta bëjnë çdo ditë në protestat e organizuara në oborrin e godinës aktuale.

Çështja  (jo) artistike e teatrit

Por a është çështje vetëm nostalgjike e një brezi aktorësh që ruajnë kujtime dhe emocione nga ngjitjet në atë skenë? I takon vetëm një komuniteti të vogël siç janë aktorët, regjisorët, dramaturgët, skenografët apo edhe punonjësit e skenës në Teatrin Kombëtar apo të gjithë qytetarëve  të Tiranës? Bëhet fjalë për ata që duan të ruajnë  “vjeturina”  në betejë me ata që duan ta modernizojnë e ta bëjnë kryeqytetin t’u shëmbëllejë sivëllezërve europianë?

E megjithëse çështja deri tani është parë nga sytë jo shumë të përfshirë se u përket thuajse ekskluzivisht një komuniteti,  të cilët deri dje janë ankuar për të ftohtët dhe lagështinë e mjediseve ku punojnë (në këtë rast  godina e Teatrit Kombëtar) –edhe pse ka përfaqësues nga shoqata e arkitektëve, ka organizma të shoqërisë  civile, po aq sa edhe qytetarë të thjeshtë –regjisori Kastriot Çipi, i përfshirë në mënyrë aktive në protestat e grupimit të njohur si “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” ,  ka thënë për gazetën “Si” , se  ata janë aty si qytetarë dhe jo si artistë. “ Nuk po luftoj për nostalgjitë e mia, por për historinë e gjithsecilit prej nesh.” – thotë Çipi .Në protestën e madhe të së enjtes së 12 korrikut përpara Presidencës ajo çka dëgjohej si thirrje ndaj presidentit të Republikës, Ilir Meta  ishte një takim i veçantë me artistët. “Artistët janë plejada e një kombi, janë shpirti i kombit shqiptar me 5200 vjet histori.”- ishin fjalët që dëgjoheshin nga megafoni.

Protestuesit për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar

I pyetur se përse nuk e kanë ngritur çështjen për të qenë më gjithëpërfshirëse , ku qytetarët do bashkoheshin jo vetëm për çështjen e teatrit, por në këtë rast të marrjes së pronës publike, pa pasur proces transparent në partneritetin me sektorin privat, të cilit do i ngarkohet edhe ndërtimi i godinës së re , pasi shembja e  asaj aktuale është miratuar me ligj në parlament. “Më gjithëpërfshirëse se kaq?! Domethënë  përveç qytetarëve shqiptarë, që banojnë në Shqipëri e në të gjithë botën, përveç ambasadave të huaja dhe organizmat europianë, mund të bëhet më gjithëpërfshirëse? Më duket se ka mbetur vetëm OKB-ja.” – ironizon Çipi, duke shtuar se përpara  Presidencës ishin të pranishëm  rreth dy mijë vetë. “Shqipëria ka më pak se 200 artistë teatri në total.”

Regjisori Kastriot Çipi

Hapat e fundmë ligjorë

Megjithë ligjin e miratuar në parlament, grupimi në mbrojtje të godinës aktuale duket se nuk tërhiqen, janë bërë 36 ditë protestash të përditshme, ku ata kërkojnë të mos shembet. Ata i kanë kërkuar presidentit Meta të mos e dekretojë ligjin, por kjo përveçse do i bënte nder figurës së tij (duke cituar protestuesit) , nuk do të ndryshonte shumë në çështje konkrete, pasi pas rrëzimit të ligjit nga ky i fundit, ai kalon në parlament sërish dhe do të mjaftojnë 71 vota për rimiratim.  “Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë me të gjitha mjetet ligjore. Nëse Qeveria zgjedh të shkelë ligjin deri në fund, do të jemi aty fizikisht për të ndaluar shembjen e dy teatrove kombëtarë.” –vijon  Çipi, ndërsa zbulon se kanë marrë përgjigje nga disa zyrtarë europianë dhe ambasadorë të vendeve anëtarë të BE në Tiranë, pasi u kanë nisur një letër ku u bëjnë me dije problematikën.

“Deri tani kemi marrë konfirmimin se ata po e ndjekin me vëmendje debatin, janë njohur me pikëpamjet tona dhe në ditët e ardhshme do të presin në takime përfaqësuesit tanë.” –thotë Çipi, duke shtuar se çështja ka qenë politike qysh ditën e parë. “Madje qysh prej 20 vjetësh. Bëhet fjalë për vendimmarrje politike.”Nëse të gjitha rrugët ligjore do të jenë “dead end”, atëherë thotë Çipi se si rrugë e  vetme shihet ngujimi brenda godinës.

 E madhja Tiranë e vogël ...historike

Zona e Teatrit Kombëtar, dikur pjesë e  Qendrës Historike të Qytetit të  Tiranës si ansambël-monument kulture, sipas disa dokumenteve të publikuara nga Opozita rezulton të jetë hequr prej hartës së mbrojtur në një vendim të datës 12 prill 2017. Një vendim i tillë duket se jo vetëm zhvlerëson rëndësinë historike e kulturore të godinës, e cila nisi të ndërtohej në fillim të viteve ’40 nga Mbretëria e Italisë,  por zvogëlon edhe qendrën historike të vendit, si zonë e mbrojtur për shkak të vlerave historike e kulturore , rreth së cilës kalohet më pas gradualisht drejt pjesëve të tjera të qytetit. Fakti se është ndërtuar nga arkitektë italianë, por edhe nga qeveria asokohe italiane ka bërë që të reagojnë edhe media e vendit fqinj . “Në Tiranë po shembet teatri italian” , shkruan  “Il Fatto Quotidiano”, duke hedhur hije dyshimi mbi negociatat me BE-në.

Godina aktuale e Teatrit Kombëtar.

Duke cituar gazetarin italian Indro Montanelli, i cili do të shkruante më 1939 se Tirana është një qytet esencialisht modern, thuajse i shpikur. Koha e tij nuk ka dy masa: të shkuarën dhe të ardhmen. E shkuara nuk ekziston”, gazetarja Tiziana Colluto shton se “nuovizmi” vijon të përparojë dhe po bëhet plagë për të gjithë Shqipërinë.

Çështja në Kushtetuese, Gjykata pa anëtarë

Përtej historisë dhe vlerave kulturore e monumentale , teatri është kthyer në debatin më të nxehtë mes Opozitës dhe Qeverisë këto ditë, ku Partia Demokratike  përtej akuzave për pastrim parash të kreut të qeverisë në çështjen e teatrit, me anë të juristëve të saj  kanë nisur hartimin e animimit të ligjit për Teatrin e ri Kombëtar në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse ky institucion ka aktualisht vetëm dy anëtarë, të cilët e kanë kaluar Vetting-un dhe jo nëntë sa duhet të ishte numri në mënyrë që ajo të merrte vendime. Edhe pse nuk mund t’i marrë ato, Gjykata e ka detyrim ta pranojë ankimimin. A do ta shqyrtohet kur të emërohen anëtarët e rinj apo deri atëherë çështja e  Teatrit Kombëtar do të jetë histori e së shkuarës deri atëherë?

Protesta e 12 korrikut përpara Presidencës, organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

Sipas PD-së,  ligji  për shembjen e godinës së teatrit dhe hapjes së negociatave me  kompaninë ‘’Fusha shpk’’ shkel dhe Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, përkatësisht nenin 71 të saj, si një kontraktim pa garë dhe konkurs të hapur, duke penguar kompani të tjera të huaja dhe vendase të paraqisnin ofertën e tyre.Kjo shpjegon edhe pankartat që mbanin në duar protestuesit, ku shkruhej “Pa Teatër, Pa MSA, s’ka Europë”.  Pas kaq ditësh debate publike, qëndrime e kundër qëndrime, arritje marrëveshjesh apo negociata me komunitetin e artistëve, mbivlerësim apo zhvlerësim të vlerave historike të godinës së Teatrit Kombëtar, pyetja shtrohet: Është e vështirë –në mos e pamundur – të hyjmë në Europë pa teatër –ku në kontinentin e vjetër mbahen fort dhe rrëzëllejnë me krenari godinat shekullore që kanë strehuar artin skenik –apo pa transparencë me qytetarët, të cilët kanë të drejtë ta mbrojnë atë çka është pronë e tyre? Çështja do të vijojë, të paktën kështu lajmërojnë ata njerëz të përfshirë deri tani me çështjen e mbrojtjes së godinës së Teatrit Kombëtar...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë