Ekspozite

‘No Art Zone’ ose revolta e estetikës..

Nga Liridon Mulaj- Çfarë ndodh nëse arti përpiqet të ndërhyjë aty ku njeriu shkatërron? Në ato hapësira krejtësisht aestetike të cilat na rrethojnë dhe diktojnë në një farë mënyre jetën tonë, por pa u vënë re thuajse në mënyrë serioze nga askush.

“No Art Zone” është ekspozita më e re e artistit të artit pamor dhe profesorit të Multimedias në Universitetin e Arteve, Vladimir Myrtezai, e hapur së fundmi në COD Center, e cila rreket të qartësojë pasojat e shëmtisë dhe t’i shndërrojë ato në hapësira arti, nëpërmjet kurimit artistik.

“Revolta e estetikës”

Përmbysja e sistemeve në Shqipërinë e viteve ’90 solli edhe një rrënim urbanistik të asaj arkitekture mjerane, e cila në komunizëm u proklamua si kulmi i arritjeve arkitekturore të njeriut të ri, i cili po krijonte gjithashtu edhe shekullin e ri.

Vladimir Myrtezai

Ndërrimet e sistemeve, së bashku me shpresën e re, sollën edhe ngazëllimin e një përvoje të re në lidhje me habitatin ku njeriu ka jetuar, me besimin se liria i përngjet bukurisë, duke rrëzuar ndoshta kaosin e shkaktuar nga “mamuthi” imagjinar i një demokracie e cila prishi për të mos rindërtuar.

Por artisti funksionon me një tjetër lloj mekanizmi. Ai nuk ndërton objekte, nuk riparon fasada dhe as nuk rindërton çka është prishur. Por për të, kudo në çdo sipërfaqe, sado bajate dhe e shkërmoqur, ca nga koha e ca më shumë nga njeriu, nuk ka vend për stepje , ajo lloj stepjeje në kuptimin e vegjetimit. Artisti gjen kthina dhe krijon kapilarë imagjinarë për të depërtuar brenda hapësirës, duke e shndërruar atë në art.

Ekspozita e fundit e artistit Vladimir Myrtezai, “No Art Zone”, rreket të përqafojë (sipas meje në një qasje krejtësisht vetjake dhe empirike) këtë ideal, se aty ku babëzia njerëzore nuk njeh kufij, artisti bën pikërisht të kundërtën: ridimensionon idenë dhe mendimin se edhe shëmtia vlen , nëse na thërret ndërgjegjen dhe na shtyn në reflektim, duke përfshfaqur në këtë mënyrë edhe revoltën e artistit ndaj këtij habitati.

Në instalacionet e Myrtezait vërejmë tarraca pallatesh dhe shtëpish përdhese të fotografuara nga larg, të cilat na japin dimensionin e një shëmtie që nuk e shohim në përditshmëri, por që gjendet aty, mbi ne, duke na rënduar mbi subkoshiencën tonë, në pritje të përshfaqjes në çaste krejt instinktive si një demonstrim brutal i asaj çka na rrethon, apo, më keq akoma, asaj që na rri përmbi.

Dhe Myrtezai përpiqet të krijojë mbi këtë kaos, duke instaluar mbi ta nga një shkop fshese, si një element i cili sublimon vokacionin e artistit, gjithashtu edhe shpirtin e tij fisnik, si një ide për të fshirë atë kaos ,  ndoshta jo duke rindërtuar (siç e thamë edhe më lart), por duke u përpjekur të fshijë kaosin nëpërmjet artit, edhe aty ku nuk ka asgjë artistike.

Dhe sërish këtë dimension na e përshfaq në instalacionin e madh të vendosur në qendër të hollit, ku disa lecka pastrimi gjigante bashkohen në një kulm. Elementi i pastrimit shfaqet si një nevojë e ngutshme për të rikonceptuar ekzistencën tonë shpirtërore, e cila shpesh plogështohet nga ambienti përreth.

Objekte të shpëlara që qëndrojnë përpara disa bideve të stërmëdha, një dyshek i madh i mbledhur, disa këpucë gjigante që përthekojnë nënkuptime dhe interpretime të shumta, të lëna pezull me kast nga artisti, duke ngacmuar kështu imagjinatën, por edhe reflektimin e secilit vëzhgues, përbëjnë edhe atë çka quhet misteri i artit kontemporan, një zhanër të cilin Vladimir Myrtezai jo vetëm e themeloi në Shqipëri, por vazhdon ta ushqejë, kryesisht si pedagog dhe mentor i qindra studentëve , “krijesa konceptuale njerëzore të Myrtezait” , dhe herë pas here (më rrallë) nëpërmjet pranisë dhe artit të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë