Menaxhim

Njohja e viteve të punës para ’94-ës, Hado: Përfitojnë 40 mijë punonjës të ish-kooperativave

Nga Gazeta ‘Si’ – Rreth 40 mijë persona, që mbushin çdo vit moshën e daljes në pension, përmes ndryshimeve ligjore, nuk do ta kenë më të nevojshme që t’i drejtohen gjykatës për t’iu njohur vitet e punës përpara ’94-s që u mungojnë, pasi njohja e tyre do të bëhet automatikisht nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Në Komisionin për Çështjet Ligjore, ku u miratuan ndryshimet ligjore të propozuara, Kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado tha se prej kësaj nisme do të përfitojnë edhe ata, të cilët janë në procedura administrative.

“Ne e kemi diskutuar këtë gjë dhe kemi vendosur që do t’u njihen të gjithë atyre qytetarëve, të cilët mbushin moshën për të dalë në pension në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit dhe ata të cilat janë në procedura administrative.

Që do të thotë, kush është në gjyq, kush është në ankimim administrativ, do t’i pezullojmë automatikisht procedurat e ankimimit dhe do t’ua njohim edhe këtyre njerëzve. Ndërsa, ata të cilët kanë dalë në pension, kanë shkuar në gjykatë, e kanë rrëzuar ose nuk e kanë ndjekur rrugën gjyqësore, nuk do t’u njihen. Sepse nëse do të hapej kjo gjë, dhe do t’u njihej të gjithëve, i bie që teknikisht dhe teorikisht të rillogariten teknikisht 720 mijë pensione”, tha Hado.

Ndërsa Zv.ministrja Olta Manjani tha se  efektet në buxhet vitin e parë janë rreth 40 milion lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë