Rend dhe Ligj

Njoftoi një prej kultivuesve para operacionit anti-kanabis, pezullohet polici në Tiranë

Gazeta Si - Një punonjës policie në komisariat nr.4 në Tiranë, është pezulluar nga detyra i dyshuar për shpërdorim detyre.

Sipas AMP, duke shfrytëzuar informacionin që kishte për shkak të detyrës, punonjësi Ervin Dajti ka njoftuar një person për një aksion antidroge për mbjellje të kanabisit.

Polici i pezulluar, kishte lidhje të afërta familjare me të dyshuarin, posedues i një parcele ku kultivohej lëndë narkotike.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve të thelluara të kryera bazuar në referimin e materialeve procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka ekzekutuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë të Jurisiksionit të Përgjithshëm Tiranë ndaj punonjësit të policisë E.D., 38 vjeç, me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”. Vendimi i Gjykatës ka ardhur pasi nga veprimet hetimore të kryera nga AMP, janë siguruar prova dhe fakte, të cilat përbëjnë dyshime të bazuara se gjatë një operacioni të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 Tiranë, në datë 11.06.2024, për identifikimin dhe kapjen e autorëve, posedues të një parcele ku kultivohej lëndë narkotike, ky punonjës policie, duke shfrytëzuar informacionin që kishte për shkak të detyrës, ka kryer veprime aktive për njoftimin e njërit prej autorëve, me të cilin kishte lidhje të afërta familjare, me qëllim shmangien nga përgjegjësia penale”, - njofton AMP


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë