Njerez

Njeriu që mbeti gjithnjë gazetar

Është ndarë nga jeta në moshën 55-vjeçare gazetari dhe autori i dokumentareve dhe reportazheve televizive dhe të shkruara, Fatos Baxhaku.

Baxhaku u lind në Tiranë më 9 janar të vitit 1964. Shkollimin e parë e kreu në shkollat Emin Duraku dhe “Dora D'Istria”. Më pas kreu gjimnazin "Ismail Qemali". Përgjatë viteve 1982-1986 studioi në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Histori-Filologjisë, ku u diplomua në histori. Që nga 1986 e deri në 1992 punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Nga 1993 e deri në 1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i "Gazetës Shqiptare". Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në televizionin "Klan". Në 1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës së përjavshme "XXL". Nga 2001 deri në 2005 ishte kryeredaktor dhe gazetar në televizionin "Vizion Plus". Ai gjithashtu ishte edhe kryeredaktor në të përditshmen "Shqip".

Baxhaku është autor, ose bashkëautor i serialeve me reportazhe "Tunel" (Vizion Plus), "Rrugëtim" (Top Channel), "Shtepa e Vjetër" (Digitalb) si edhe i shumë dokumentarëve televizive.

Ka qenë disa herë pedagog i jashtëm i gazetarisë në Universitetet e Elbasanit dhe Tiranës. Ka qenë anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Bashkëpunëtor në shumë projekte trajnimi me Soros, USAID, Instituti Shqiptar i Medias, OSBE. Por pavarësisht detyrave dhe përkushtimeve profesionale, ai gjithnjë thoshte për veten se "ishte një gazetar" apo thjesht "një punonjës i medias".

https://www.youtube.com/watch?v=fnqR7Q5mx7Q
Intervista e Fatos Baxhakut, në Digitalb

Në ngushëllimet e tij për familjen dhe të afërmit, Presidenti Ilir Meta shkruan ndër të tjera se "Fatosi u bë protagonist i rendit të parë në jetën publike të vendit për tridhjetë vjet me radhë, duke e lidhur emrin e vet pazgjidhshmërisht me shtypin e lirë dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes, që për të ishin mision i shenjtë!"

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/2432514383461487

Nuk ka njeri në median shqiptare që të mos e ketë njohur Fatos Baxhakun, të mos ketë pirë një kafe a një gotë, jo vetëm për bisedën e tij të shtruar e të qetë, por edhe për të pasur një këndvështrim racional e të ndryshëm për gjërat që na ndodhin. Një nga pionerët e medias shqiptare të pas viteve ’90, autor i reportazheve të emblematikë të shkruar dhe televizivë, studiues i historisë kontroverse shqiptare, dhe gjithnjë një kritik i fortë i tranzicionit tonë; Fatos Baxhaku me largimin e tij na ka prekur thellë. Redaksia e Gazetës “Si” i bashkohet familjes në dhimbjen e saj dhe shpreh ngushëllimet për humbjen, jo vetëm për të afërmit, por për të gjithë median shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë